Numërohet mbi një e treta e votave me postë: rezultatet e fundit dhe mandatet aktuale - NACIONALE

Numërohet mbi një e treta e votave me postë: rezultatet e fundit dhe mandatet aktuale

3 javë më parë

nga NACIONALE

Sipas të dhënave të fundit të QNR-së për votat me postë, deri në orën 18:10 janë numëruar 21 nga 57 kuti, përkatësisht 36.84 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje po kryeson në këtë kategori votash, me 68.54 për qind ose 4 mijë e 852 vota.

E dyta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani ka marrë 17.54 për qind ose 1 mijë e 242 vota.

Partia Demokratike e Kosovës është e treta me 6.27 për qind, përkatësisht 444 vota.

Pas saj vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.85 për qind ose 414 vota.

Rezultatet e votave me postë

Subjekti politik Përqindja Vota
VV Lëvizja Vetëvendosje
68.54% 4,852 vota
LDK Lidhja Demokratike e Kosovës
17.54% 1,242 vota
PDK Partia Demokratike e Kosovës
6.27% 444 vota
AAK Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
5.85% 414 vota

Burimi: QNR, 21 nga 57 kuti të numëruara — 13.06.2026, 18:10.

Vetëvendosje mbetet subjekti i parë politik me 50 mandate aktualisht, sipas rezultateve të përmbledhura të KQZ-së. Megjithatë, kjo shifër mund të ndryshojë pas përfundimit të numërimit të votave me postë.

Sipas hulumtuesit të Institutit Demokratik , Eugen Cakolli, Lëvizja Vetëvendosje mund të arrijë deri në 52 ulëse në Kuvend, nëse trendi aktual i numërimit të votave me postë vazhdon deri në përmbylljen e procesit.

"Nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate tjera mbeten ende të hapura mes partive dhe rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit", tha Cakolli.

Renditja Subjekti politik Mandate
1 Lëvizja Vetëvendosje - VV 50
2 Partia Demokratike e Kosovës - PDK 23
3 Lidhja Demokratike e Kosovës - LDK 19
4 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - AAK 8

Partia Demokratike e Kosovës renditet aktualisht si forca e dytë politike me 23 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 19 mandate.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka aktualisht 8 ulëse në Kuvend.

Procesi pritet të përfundojë gjatë fundjavës

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë kësaj fundjave pritet të përfundojë procesi i vlerësimit të votave të ardhura me postë.

Sipas tij, aktualisht po vazhdon numërimi i fletëvotimeve që janë pranuar përmes 23 kutive postare, ndërsa deri më tani janë aprovuar afro 60 mijë fletëvotime.

“Po vijojmë me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës i cili është realizuar në 23 kuti postare të hapura nga KQZ-ja. Nga këto kuti postare, KQZ-ja ka tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, dhe deri më tani, shërbimi [për] votues i KQZ-së ka vlerësuar, verifikuar, shumicën prej tyre”, tha Elezi për Klan Kosovën.

Ai theksoi se procesi i verifikimit ka përfshirë deri tani mbi 60 mijë pako të supozuara me fletëvotime.

“Sipas të dhënave të fundit, në këtë proces të vlerësimit janë përfshirë mbi 60 mijë pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 59 mijë e 973, ndërsa janë refuzuar 2 mijë e 244”.

Më tej, Elezi bëri të ditur se pakot e aprovuara janë sistemuar në kuti sipas zonës së regjistrimit të votuesve dhe janë gati për t’iu nënshtruar procesit të numërimit.

“Pakot me fletëvotime që janë aprovuar janë ndarë në kuti në bazë prej nga vijnë votuesit e regjistruar, dhe ato tashmë janë të gatshme për t’u përfshirë në procesin e numërimit derisa besojmë që brenda një kohe të shkurtër, gjatë kësaj fundjave do të përmbyllet i gjithë procesi i vlerësimit të këtyre pakove që kanë mbetur për t’u vlerësuar nga ana e shërbimit [për] votues të KQZ-së”.

Lajme të ngjashme