Numrat për qeverinë askund: Deputetët e VV-së i shprehin dëshirat e tyre, Kurti nuk përgjigjet për gazetarët - NACIONALE

Numrat për qeverinë askund: Deputetët e VV-së i shprehin dëshirat e tyre, Kurti nuk përgjigjet për gazetarët

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidati për kryeministër i VV-së, Albin Kurti, nuk ka folur, por deputetët e tij i kanë shprehur dëshirat e tyre në lidhje me formimin e qeverisë së re.

Derisa kryetari i partisë në pushtet nuk e ka thënë asnjë fjalë për seancën e 15 prillit, disa nga deputetët e VV-së kanë dhënë prognozat e tyre rreth formimit të institucioneve të reja.

Pas regjistrimit si deputet, Kurti ka refuzuar të flasë, nëse e ka siguruar shumicën e nevojshme për seancën konstituive.

Ndonëse gazetarët disa herë ia kanë shtruar pyetjet për numrat, ai ka zgjedhur heshtjen.

Krejt ndryshe kanë vepruar deputetët e rinj të VV-së.

Derisa paraqiteshin për t`u regjistruar si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Kosovës, ata kanë treguar se qeveria e re do të jetë Kurti 3.

Megjithatë, asnjeri prej tyre nuk kanë treguar se me cilin subjekt politik do të formohet qeveria e re.

Një gjë të tillë nuk e ka treguar as deputeti i VV-së, Hekuran Murati, i cili është edhe ministër në detyrë.

Gjithsesi, patjetër që po. Sipas Kushtetutës, me votat e deputetëve të Kuvendit. Për të gjitha këto, është çështja e subjektit. Patjetër që po. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë sa më mirë”, ka thënë Murati.

As deputeti Agim Bahtiri nuk kishte ndonjë informacion.

Duke u shprehur i lumtur që për herë të parë do të jetë përfaqësues i popullit, ai është shprehur shumë optimist.

“Numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë. Do të bëhet me deputet të Republikës së Kosovës...me deputet të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Optimizmin e tij e ka shprehur edhe deputeti tjetër i VV-së, Halil Thaçi.

Duke folur për “Kallxo”, ai u shpreh i bindur se kryeministër do të jetë Albin Kurti e kryeparlamentar Glauk Konjufca.

Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në, edhe kryeministër do të jetë Albin Kurti e kryeparlamentar Glauk Konjufca”, është shprehur ai.

Kurse, bashkëkryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka thënë se më 15 prill do t`i kenë votat e nevojshme.

Dihet kush do ta formojë Qeverinë më 15 prill apo më vonë. S’kemi çka diskutojmë…Me votat e nevojshme”, ka thënë ajo.

Ndërsa, deputetja e VV-së dhe ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, nuk ka dashur të flas për këtë çështje.

Para dy ditësh i kam dhënë të gjitha deklarimet rreth këtyre çështjeve...”, është shprehur Haxhiu.

Dorëzimi i Konjufcës

Pas takimit të partive politike për seancën përgatitore të 15 prillit, subjekte politike kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë e ka pranuar nuk mund të formojë qeverinë e re vetëm me minoritet jo serbe.

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se qeveria e re nuk mund të formohet pa bërë koalicion me ndonjërën prej partive opozitare.

“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë Konjufca.

Ai ka vlerësuar se skenari A i LVV-së tani nuk është i mundshëm.

“Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, është shprehur ai.

Sipas tij, një koalicion është i pashmangshëm.

“Kur jemi te qeveria është e pamundshme pa e themelu një koalicion, që krijon mazhorancën e aftë me 61 vota, për ta themeluar qeverinë e ri. Unë do ta kisha futur këtu edhe kryetarin e Kuvendit, i nënshtrohen këtij principi”, ka thënë Konjufca.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, 15 prillin e ka caktuar si datë për seancen konstituive të legjislaturës në nëntë.

Lajme të ngjashme