Numërohen rreth 80% të votave me kusht: VV-ja e para, Lista Serbe mbi AAK-në
Në orët e mesnatës, KQZ-ja ka përditësuar rezultatet e partive politike nga votat me kusht.
Nga rreth 80% të votave të numëruara, Vetëvendosje ka dale e para me 40.21% të votave. Pak më pak se që ka marrë nga votat e rregullta ku kishte 40.90%.
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar deri më tash 18.11% të votave, kurse LDK-ja 13.54%.
Befasia më e madhe është Lista Serbe, e cila deri më tash ka më shumë se 11.3% të votave, duke u renditur mbi koalicionin AAK-Nisma.
Ky koalicion ka 6.21% deri më tash.
Kujtojmë se dje ka përfunduar numërimi i votave me postë.
Nga këto vota, VV-ja ka marrë 51.57%, LDK-ja 30.55% kurse PDK-ja 9.58%.
Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora, përfshirë ato të dërguara me postë dhe ato në përfaqësitë diplomatike, tashmë kemi një pasqyrë më të qartë rreth përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
Sipas përllogaritjeve të statisticientit Shenoll Muharremi, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 44 mijë e 224 vota, apo 57.31 për qind të totalit, LDK-ja 20 mijë e 42 vota apo 25.97 për qind të totalit, PDK-ja 7 mijë e 53 apo 9.14 për qind dhe AAK/Nisma 3 mijë e 552 apo 4.6 për qind.
Pas përfshirjes së këtyre votave në përllogaritjen përfundimtare, sipas Eugen Cakollit nga KDI, ndarja e mandateve në Kuvend pritet të duket kështu: Vetëvendosje 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 dhe koalicioni AAK/Nisma 8.
Cakolli theksoi se e vetmja mundësi për ndryshim të konfigurimit parlamentar do të ishte nëse LDK arrin të sigurojë mbi 20 për qind të votave me kusht, çka do t’i mundësonte të fitonte një mandat shtesë në dëm të PDK-së.
Megjithatë, ky skenar kërkon një ndryshim të theksuar në trendin e votave. Sipas Cakollit, një skenar i tillë mbetet pak i mundshëm.
“E vetmja rrethanë, e cila mund të prodhojë lëvizje në (një të vetëm!) mandate, është nëse LDK arrin të marrë mbi 20% të votave me kusht, duke fituar një mandat nga PDK. Por për këtë, do të duhej një ndryshim i dukshëm i trendit, që nuk ka ndodhur më parë.” – tha ai.