“Nuk ua njohim as pasaportat”, 'konsistenca' e pakuptimtë e Spanjës ndaj Kosovës
Në emër të “konsistencës” gjërat dinë të shndërrohen nganjëherë edhe në absurditet. Rasti i Spanjës ndaj Kosovës, duke u thirrur në konsistencë qëndrimesh, s’ka se si të mos tingëllojë edhe krejtësisht i pakuptimtë. Përveç mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës, “nuk ua njohim as pasaportat”, ishte qëndrimi i fundit i artikuluar nga ministri spanjoll i jashtëm, Jose Manuel Albares. Dhe e tëra kjo pasi Parlamenti Evropian hoqi regjimin e vizave për pasaportat e kosovarëve në zonën Schengen, ku edhe vetë Spanja ishte për këtë dritë jeshile. Por, një gjë e tillë nuk do të vlejë edhe për në Spanjë...
Kosova, sipas krerëve shtetërorë spanjollë, vazhdon të jetë “veçse një territor me të cilin Bashkimi Evropian ka marrëdhënie”, thonë ata, ndërsa janë vetë pjesë e BE’së dhe e pesëshesh mosnjohëse, pavarësisht asaj se të tjerëve s’u pengojnë edhe dokumentat e udhëtimit. Por, Spanjës po. “Spanja ka politikën e saj të mosnjohjes së Kosovës, dhe kjo përfshin edhe mosnjohjen e pasaportave, siç kemi bërë në mënyrë konsistente gjer më tash”, tha Albares, duke shtuar se çështja e (mos)njohjes së pasaportave është kompetencë puro nacionale e shteteve dhe se nuk do të përkojë me shtetet tjera të unionit.
Të ndalemi te konsistenca. Duke qëndruar në këtë “konsistencë” ata edhe në mënyrë konsistente dështojnë të shënojnë dallimin thelbësor mes Kosovës dhe Katalonisë. Kosova, gjatë të 90’ave përjetoi shtypje të madhe raciste dhe fashiste nga Sllobodan Millosheviçi ku u vranë afro 13 mijë njerëzve dhe gjysma e popullatës së saj u dëbua nga vendi, andaj edhe në “konsistencë” me të drejtat e njeriut, të drejtës për jetë dhe parandalimit të gjenocidit kudo në botë intervenoi Aleanca e Atlantikut të Veriut për 78 ditë ndaj caqeve të ushtrisë jugosllave, “konsistencë” kjo mbi “konsistencat” e tjera. Ndërsa Spanja vazhdon të mos e shënojë këtë dallim elementar me Kataloninë.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, gjatë një vizite në rajon vitin e kaluar, në një konferencë shtypi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, u përball me këtë pyetje. Pse nuk njihet Kosova? Përgjigja e tij, s’pati edhe aq shumë kuptim. “Është shkelur e drejta ndërkombëtare”, u tha ai gazetarëve, ndërsa tha se qëndrimi spanjoll s’do të ndërrojë. 'Miqtë e mirë sic është Shqipëria dhe Spanja mund të kenë dhe mosmarrëveshjet e veta. Ne mendojmë se është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. E them me gjithë respektin, është një opinion që nuk e ndajmë me Shqipërinë”, u shpreh Sanchez.
Se a është shkelur apo nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare, për këtë gjë ka organe të larta ndërkombëtare që e vendosin, dhe, po, është vendosur. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është instanca më e lartë e interpretimit të së drejtës ndërkombëtare, më 2010 dha verdiktin se Pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur në asnjë mënyrë të drejtën ndërkombëtare. GJND konfirmoi pavarësinë e Kosovës si legale dhe legjitime, përfundimisht. Por, ama jo edhe për Spanjën dhe "konsistencën" e saj.
Tentimet e Kurtit me Madridin, pa rezultat
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka rënë të takohet e bisedojë me kryeministrin Sanchez, por pa rezultat njohjeje. Madje, ai ka provuar që të përçojë mesazhin e kosovarëve edhe në mediat më prestigjioze si “El Pais”, duke shpjeguar dallimin rrënjësor mes Kosovës dhe Katalonisë. “Në ish Jugosllavi, ne ishim më të varfërit dhe më të shfrytëzuarit. Ndërsa Katalonia dhe Baskët janë më të pasurit në Spanjë. Ne deshëm të ishin si pjesa tjetër e vendit, por ata na shtypën. Çështja jonë ishte koloniale, si ajo e Algjerisë me Francën.”
“Në Spanjë, të cilin e mendoj si shtet demokratik, nuk mendoj se ka ndonjë gjë që nuk mund të zgjidhet mes Madridit dhe Barcelonës pa dialog. Problemi që ne kemi me Serbinë është që ajo është autokraci. Ka parti, lider, kishë. Dhe me lidhje të afërta me Rusinë. Nëse Madridi do të sillej si Beogradi, unë do të takohesha me Kataloninë”, shprehej kryeministri Kurti.
Ambasadori spanjoll në Beograd
Kur është puna te artikulimi haptazi i pozicionit spanjoll kundër Kosovës, këtë e bën zëshëm ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Morina. Në intervistë për mediat atje si “Novosti” Morina thoshte madje se as që kanë presion për ta njohur Kosovën. “Pozicioni i Spanjës në raport me territorin e Kosovës është një politikë zyrtare shtetërore, e harmonizuar me të gjithë aktorët politikë, pa marrë parasysh se cila parti qeverisë në kohë të caktuara”, shprehej ambasadori spanjoll.
Ambasadori spanjoll, madje e thoshte edhe një gjë që askush brenda unionit evropian nuk e thotë, dhe madje edhe krejt në kundërshtim me to. “Në kontaktet me autoritetet serbe, unë gjithmonë kam theksuar se nëse Serbia zbaton të gjitha reformat e nevojshme, mosmarrëveshja me Kosovën nuk do të jetë pengesë për hyrjen e saj në BE. Askush nuk do të jetë në gjendje të kundërshtojë hyrjen e saj nëse ajo ka përfunduar të gjitha detyrat”, shprehej ai./Nacionale/
