"Nuk shkon kështu": Lajçak thotë se palët s'kanë besim të ndërsjellë për zbatim të Marrëveshjes Bazë
Nuk ka besim mes palëve, tha Përfaqësuesi Special i Brukselit për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke folur për tensionet e kohëve të fundit dhe për ngecjen në zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve.
“Të dyja palët na thonë: le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ‘ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka’, hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”, ka thënë Lajçak në Presë të Maqedonisë së Veriut. Lajçak shtoi se për udhën para në normalizim të marrëdhënieve duhet pajtim, dialog, guxim dhe vizion.
“Gjëja më e mirë që mund të ndodhë me marrëveshjet e paqes është që ato të zbatohen sa më parë”.
Në lidhje me rrëmbimin e tre policëve kufitarë kosovarë të mërkuren nga njësitet speciale serbe brenda territorit të Kosovës Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pezulloi gjykimin duke thënë se pret nga "NATO'ja të paraqes faktet" për situatën ngase Kosova dhe Serbia kanë dhënë "versione kundërthënëse".
"Jemi duke pritur nga NATO që t’i mbledhë faktet , kemi kërkuar prej të dyja palëve t’i prezantojmë faktet sepse kemi dy storje kontradiktore", tha ai për The Geopost duke folur nga Prespa, ndërsa në pyetjen se a janë të informuar për vendnodhjen e tre policëve tha se "jemi në kontakt me të dyja palëve".