Nuk shkojnë liderët: Opozita në takim me Konjufcën shkon me nënkryetarë - NACIONALE

Nuk shkojnë liderët: Opozita në takim me Konjufcën shkon me nënkryetarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare sot do t`i përgjigjet pozitivisht ftesës së ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për takim me liderët e partive politike, ku do të diskutohet për përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturë së nëntë.

Megjithëse ftesa ka qenë ka qenë për liderët e partive politike, PDK, LDK dhe AAK kanë vendosur që në këtë takim të mos shkojnë Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.

Gazeta Nacionale ka mësuar se partitë opozitare në këtë takim do të përfaqësohet nga një nivel më i ulët i përfaqësimit.

Burimet e gazetës brenda PDK-së kanë bërë me dije se kjo parti në takim me Konjufcën do të përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Uran Ismaili.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë takim do të përfaqësohet me nivel të nënkryetarëve.

Nacionale ka mësuar se në këtë takim LDK-ja do të përfaqësohet nga nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili.

Kurse, zyrtari i AAK-së që do të shkojë në këtë takim do të ketë një pozitë tjetër në parti.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë takim AAK-ja do të përfaqësohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj.

Gazeta ka mësuar se në këtë takim as Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përfaqësohet nga kryetari i saj, Albin Kurti.

Edhe Nisma Socialdemokrate do të përfaqësohet nga një zyrtar i lartë i saj dhe jo nga kryetari Fatmir Limaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.

Përgatitjet për këtë seance, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, i takojnë kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës. Ky i fundit, së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.

Pas caktimit të seancës konstitutive, partia fituese e zgjedhjeve ka filluar takimet konsultative me partitë tjera politike për të formuar qeverinë e re.

Javën e kaluar, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, i ka takuar përfaqësuesit e partive të minoriteteve jo serbe.

Pas këtyre takimeve është raportuar se Kurti është takuar edhe me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Por, deri me tani asnjëra palë nuk e ka konfirmuar këtë takim.

Ndërsa, dje është bërë publike ftesa që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka bërë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në fund të muajit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas këtij rezultati, LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).

Lajme të ngjashme