"Nuk po ruhet": Çfarë ‘telashi’ i doli Kurtit në deklarimin e pasurisë për qiranë e tij? - NACIONALE

"Nuk po ruhet": Çfarë ‘telashi’ i doli Kurtit në deklarimin e pasurisë për qiranë e tij?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëri e ka deklaruar qiranë e tij të vogël prej 250 eurove për shtëpinë që e shfrytëzon në lagjen Taslixhe që i ka 230 metra katrorë. Por, kësaj here duket se është përballur me një vështirësi në plotësimin e formularit.

Në një shënim të bërë pas deklarimit formal të pasurisë, Kurti ka njoftuar se nuk i është ruajtur data e fillimit dhe e mbarimit të kredisë (qirasë) dhe për këtë arsye ishte detyruar të shkruante shënimin në fjalë.

Në fakt, në bazë të dokumentit të publikuar, shkruhet edhe data e fillimit por edhe ajo e mbarimit e po ashtu edhe kohëzgjatja e plotë.

Ta zëmë, në rastin e apartamentit të gruas së tij, është shënuar në mënyrë precize edhe data e fillimit por edhe ajo e mbarimit.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh nuk i janë ruajtur të dhënat atij në sistem.

Qiraja 250 euro

Kurti ka njoftuar se qiraja në fjalë është për pronarin e shtëpisë me emrin Blerim Zagragja, ashtu siç kishte raportuar më herët edhe Nacionalja.

Dhe se, data e fillimit të qirasë kishte qenë 1 dhjetori 2020 ndërsa e mbarimit më 30 nëntor 2023.

Në deklarimin e mëhershëm të pasurisë, ai tregonte se kontrata në fjalë mund të vazhdohej edhe për tri vjet të tjera.

Shuma e vogël të cilën e paguan Kurti për një shtëpi aq të madhe prej 230-metrash katrorë kishte bërë që të hapej një debat i madh, me akterë opozitarë sidomos nga PSD-ja që hidhnin akuza në drejtim të tij.

Anti-korrupsioni

Nacionale kishte dërguar pyetje në drejtim të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ish-Agjencia Kundër Korrupsionit) dhe të cilët kishin nisur një hetim për të parë nëse kishte konflikt interesi. Megjithëse e konfirmuan se e morën informatën, tashmë kanë kaluar gati 10 muaj dhe përgjigje nuk është marrë.

Familja Zagragja ishte mbështetëse e kryeministrit Kurti.

Ligji

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është fare fare fare i qartë, sidomos në pikën 8 të nenit 6 të tij ku flitet për “Parimet e Veprimit dhe mos-veprimit të zyrtarit”.

“8. Zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo në dukje.”

Një tjetër rast potencialisht me konflikt interesi është edhe ai i Shefit të Stafit të Zyres së Kryeministrit, Luan Dalipi. Siç shkruajnë nga Buletini Ekonomik, AKK-ja po e hesht konsulencën e dyshimtë të Dalipit në MDA. Ata thonë që nuk po marrin përgjigje tash e një vit. Jo vetëm nga Agjencia Kundër Korrupsionit (tashmë, e Parandalimit të Korrupsionit) por as nga Dalipi apo kompania në fjalë.

Lajme të ngjashme