"Nuk përjashtohen" veprime ndaj Serbisë "pas përcaktimit përfundimtar" të sulmit në Bansjkë, thotë ambasadori amerikan - NACIONALE

"Nuk përjashtohen" veprime ndaj Serbisë "pas përcaktimit përfundimtar" të sulmit në Bansjkë, thotë ambasadori amerikan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pritje “të përcaktimeve përfundimtare” rreth sulmit paramilitar dhe terrorist të udhëhequr nga Milan Radojçiq në Bansjkë të Zveçanit, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pyetur se a nuk ekzistojnë tashmë mjaftueshëm dëshmi që Serbia qëndron prapa sulmeve.

Hovenier tha se ShBA “po e merr shumë seriozisht” zbardhjen e plotë të rastit dhe të asaj nëse Serbia është e përfshirë në të ose jo; por u kujdes që të përsëris se ShBA ende nuk ka arritur të definojë përfundimisht këtë.

Ka shumë njerëz që e thonë këtë. Kam dëgjuar shumë zyrtarë në qeverinë e Kosovës ta thonë këtë në veçanti. Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të bëjmë përcaktimet përfundimtare të asaj që ne e quajmë atribuim, për t'u siguruar që e kemi kuptuar saktësisht. Por, siç thashë, ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po punojmë me miqtë tanë në qeverinë e Kosovës dhe gjetkë për ta kuptuar më mirë këtë”, tha ambasadori Hovenier në një intervistë me Zërin e Amerikës.

Megjithatë, Hovenier, në përzgjedhjen e fjalëve të tij, pranoi se “ky nuk ishte grup spontan” dhe se i tërë organizimi dhe sasia e tyre e armëve nënkupton që “duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron”.

Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit që ata lanë pas, ishte me origjinë serbe. E dimë se një individ, z. Milan Radoiçiç, i cili ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe, bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij duke marrë përsipër përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë pjesë në të”, tha ai.

Këto janë gjërat që ne i dimë tani dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë. Ne e dimë se kjo nuk mund të ndodhte vetëm spontanisht. Pra, siç e kam thënë edhe më parë, pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne ende po përpiqemi të kuptojmë është saktësisht se si funksionoi”, shtoi ai.

Hovenier nuk përjashtoi veprimet ndaj Serbisë në të ardhmen “pas përcaktimit përfundimtar” të asaj se çfarë ndodhi në Banjskë.

Një nga gjërat që kam thënë, një nga gjërat që ka thënë sekretari Antony Blinken dhe të tjerët, është se ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal, ata që janë përgjegjës për ekzekutimin e tij, ata që janë përgjegjës për planifikimin e tij, ata që janë përgjegjës për sigurimin e mbështetjes për të, duhet të mbahen përgjegjës. Dhe ndërsa kuptojmë se kush është përgjegjës, ne besojmë se ata duhet të mbahen përgjegjës. Ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të marrë pjesë plotësisht në këtë hetim dhe të kërkojë llogari nga njerëzit atje”.

Natyrisht, ne mbështesim përpjekjet e autoriteteve të Kosovës këtu në sistemin e tyre gjyqësor për t'i mbajtur njerëzit përgjegjës. Kështu që nuk përjashtoj veprimet në të ardhmen. Ne jemi ende duke parë për të kuptuar se çfarë ndodhi, por ne do të marrim vendime se çfarë hapash duhet të ndërmarrim ndërsa arrijmë në përcaktimet tona përfundimtare për përgjegjësinë. Por, të mos ketë mëdyshje, ata që janë përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm dhe vrasjen e një punonjësi policie duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”, tha ambasadori amerikan.

Lajme të ngjashme