“Nuk na mjafton vetëm fitorja”; "këta duan diktaturë": Deklarata e Gërvallës nxit reagime të ashpra
Deklarimi i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, se pushtetit aktual nuk i mjafton vetëm fitorja më 9 shkurt, ka nxitur reagime të ashpra në vend.
Zyrtarët e opozitës dhe njohësit rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se kjo deklaratë tregon qëllimet e vërteta të pushtetit aktual.
Sipas tyre, pretendimet e tilla janë thirrje për diktaturë.
E para që ka reaguar ka qenë sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se pushtetit aktual dëshiron kontroll dhe nënshtrim.
“Nuk na mjafton fitorja, u paska thënë Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës mërgatës sonë, në nje takim të thirrur nga një nga Ambasadat tona në Evropë. Pra, demokracia nuk mjafton, sepse demokracia, edhe me fitore, nënkupton pluralizëm. Nënkupton lirinë për tu mos pajtuar me shumicën. Nënkupton lirinë e fjalës. Nënkupton pavarësinë qytetare, intelektuale, politike, ekonomike. Por, jo. Këta dojnë diktaturë. Kontrollë. Nënshtrim. Kjo mendësi merr fund me 9 shkurt”, ka shkruar Çitaku.
Edhe Juristi i njohur Dastid Pallaska ka vlerësuar se pretendimet e shefes së diplomacisë nuk kanë të bëjnë me demokracinë.
Ai ka bërë me dije se VV-së nuk u mjafton fitorja mbi 50 për qind, sepse nuk di të qeverisë.
“Kësaj qeverie nuk i mjafton fitorja prej 50.01% se nuk dinë çka me bo me to. Thjeshtë, nuk dijnë me qeverisë!!! Me gjasë, këta nuk dijnë asgjë. Kjo është një prej arsyeve pse shumica e tyre nuk kanë qenë as të punësuar para marrjes së funksioneve publike. Këta e synojnë diktaturën se vetëm kështu mund të qëndrojnë në pushtet pa asnjë rezultat dhe të mbesin të punësuar pa punuar”, ka shkruar Pallaska.
Kurse, analisti Petrit Zogaj ka vlerësuar se duhet t`i kërkohet falje ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili në vitin 2016 e largonte nga forumet e partisë Donika Gërvallën.
Sipas tij, Mustafa paska qenë duke u ballafaquar me fantazmë politike.
“Duhet me i kerku falje Isa Mustafes per kritikat, njeri ne 2016 paska qene duke u ballafaqu me fantazme politike si puna e Gervalles. Tani po e kuptojme se pse nuk ka as njohje, as ametaresime e as takime me-nuk flet kush me fantazma”, ka shkruar Zogaj në profilin e tij në “Facebook”.
Çka tha Gërvalla?
Shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla, në një tubim me diasporën, i cili është mbajtur muajin e kaluar, ka thënë se pushtetit aktual nuk i mjafton vetëm fitorja në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gërvalla, e cila është edhe njëra nga kryetarët e Partisë Guxo, ka thënë se qeverisjes aktuale i duhet një përkrahje edhe më e madhe.
“Fitorja është e kapshme, por nuk do të na mjaftojë fitorja. E kemi parë që edhe me 50% nuk kemi vota të mjaftueshme për t’u ballafaquar me gjithë atë energji negative kundër Kosovës kundër kësaj Qeverie dhe kundër qytetarëve të këtij vendi. Na nevojiten më shumë dhe unë nuk dua ta citoj Luan Gacaferin por ai ka disa shifra krejt të tjera që na ballafaqon në Facebook, prandaj mos ta zhgënjejmë Luanin, të punojmë çdo ditë me qëllim që shkurtin ta festojmë një fitore të re që premton shumë për Kosovën”, ka thënë Gërvalla.
Në adresimin e saj, ajo ka përmendur edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Për shkak se i përkas asaj gjenerate që në vitet e 90’ta. Kemi ndjekur një rrugë dhe një vizion që Kosovën e ka sjellë këtu ku jemi sot. Vizioni i presidentit Rugova, liri pavarësi dhe demokraci për gjeneratën time ka qenë ai vizioni të cilin e kemi ndjekur në çdo ditë e orë. Kosova sot e ka fituar lirinë, pavarësinë dhe Kosova është shteti më demokratik i rajonit tonë. Më lejoni ti jap të drejtë vetës që me emrin tim dhe tuaj t’i them kryetarit Rugova nga kjo sallë e stërmbushur që të pranojë premtimin tonë që nuk do t’i ndahemi rrugës së tij dhe asnjëherë nuk do të rreshtemi vizionit për një Kosovë të lirë, të pavarur për gjithë qytetarët e saj”, është shprehur Gërvalla.