“Nuk është dashur të shkonte”; “Po përdoret nga Greqia”: Kurti kritikohet për darkën joformale në Athinë
Pjesëmarrja e Kryeministrit Albin Kurti në darkën joformale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, ku nuk ishte e ftuar Shqipëria, ka nxitur reagime në vend.
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se Kurti nuk është dashur të marrë pjesë në këtë takim pa qenë i ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ata kanë bërë me dije se Kurti në këtë rast është përdorur nga Greqia.
Sipas tyre, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një politik të jashtme të përbashkët.
Më i ashpër me Kurtin ka qenë veprimtari i çështjes kombëtare, Uk Lushi, i cili jeton dhe vepron në SHBA.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lushi ka shkruar se lajkat dhe buzëqeshjet greke me Kurtin janë kurthe dhe hapa drejt planit grek për paralele.
Sipas tij, grekët do ta lidhin njohjen e Kosovës me Zajednicen greke në jug të Shqipërisë.
“Albin Kurti nuk po e kupton që po përdoret nga Greqia. Lajkat dhe buzëqeshjet greke me Kurtin janë kurtha dhe hapa drejt planit grek për paralele. Grekët duan të shkojnë te çasti ku do lidhin njohjen e Kosovës me Zajednicë me Zajednicë greke në jug të Shqipërisë. Grekët nuk japin dhurata e as dashuri pa marrë shumë nga ti. Prandaj veprimet e pakoordinuara mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë janë rrezik për shqiptarët kudo në Ballkan”, ka shkruar Lushi.
Edhe analisti politik Lirim Mehmetaj ka thënë se me logjiken e VV-së Kurti nuk do të duhej të shkonte.
“Me kutin dhe metrin e vetë Kurtit dhe të përkrahseve të tij nuk ishte dashtë. Sepse është një cështje që ka të bëj me shqipatrët. Atje është një person që e ka emrin Fredi Beleri, i cili është me nacionalitet grek. Ai është një version i but i Radojçiqit në Kosovë. Ai është aktualisht në burg, ka qenë i akuzuar më herët për vrasjen e një polici shumë më moti. Aktualisht është në burg, sepse është kapë duke vjedhur vota”, ka thënë Mehmetaj në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjin.
Ai ka treguar për politizimin që Greqia po i bënë këtij rasti.
“Për shkak se ai është i nacionalitetit grek, Greqia po i thotë Shqipërisë ndërhyj politikisht në një proces gjyqësor dhe liro prej burgut, që ta ushtroi ai mandatin e tij si kryetar i bashksië meqenëse e ka fituar mandantin. Shqipëria po i thotë Greqisë ne nuk mundemi me e absrahu shtetin dhe po ua lëmë procedurave gjyqësore. Në një farë mënyre kjo është kërekës e një të fortit. Kaq e thjeshtë është”, është shprehur ai.
Ai ka përmendur sjelljen e aktivistëve të VV-së ndaj kryeministrit Rama kur ky i fundit vizitonte Beogradin dhe takohej me Vuçiqin.
“Nëse e analizojmë kërkesën e Qeverisë së Kosovës dhe përkrahesve të Qeverisë së Kosovës për Edi Ramën, kur i thoshin që nuk bënë me pasë raporte normale Rama me Vuçiqin, meqenëse Kosova nuk i ka të tilla dhe në parim duhet të mbështet Kosova. Rrjedhimisht edhe tani ish dashtë me ardhë një mbështetje e Kosovës për Shqipërinë në parim”, ka thënë ai.
Kurse, analisti tjetër i Debat Plusit, Yll Hoxha, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë politikë të jashtme të përbashket.
“Mendoj se është fundamentale që Kosova dhe Shqipëria të kenë një politikë të jashtme të përbashkët. Pra, të kenë një sinkronizim të plotë dhe të mos kenë divergjenca cfarë kemi pasur në të kaluarën. Situata që Kosovë mbivendoset me interesin e saj mbi Shqipërinë mendoj se janë të papranueshme si dhe anasjelltas. Shpresoj që kjo vizitë e Kurtit të këtë ndodhur në koordinim me z. Rama”, është shprehur Hoxha.
Takimet e Kurtit gjatë vizitës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis të hënën dhe të martën ka qëndruar në Athinë për të marrë pjesë në darkën me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për t’u takuar e bashkëbiseduar me homologë e partnerë edhe përtej Ballkanit Perëndimor.
Shefi i ekzekutivit kosovar është shprehur i kënaqur me vizitën e tij në Athinë.
Gjatë qëndrimit në shtetit grek, ai ka zhvilluar disa takime me liderë të vendeve të rajonit dhe përfaqesues të BE-së.
“Para e pas saj, përgjatë dy ditëve zhvillova takime dypalëshe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ndërkohë që në pritje të darkës u përshëndeta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëbisedova me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel”, ka shkruar Kurtin në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se në këtë darkë është ritheksuar edhe njëherë mbështetej e BE-së për rajonin.
“Në darkën që shënonte edhe 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, u ritheksua edhe një herë mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe rruga përpara, teksa në prezencën e Presidentit të Ukrainës, Zelenskyy u konfirmua mbështetja e palëkundur për Ukrainën dhe u bë thirrje për përgjegjësi dhe ndëshkim të krimeve të kryera gjatë luftës nga agresori rus”, ka shkruar Kurti.
Në këtë darkë kanë qenë të pranishëm edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

