Nuk e presin ndihmën e Qeverisë, "Djemtë e Mitrovicës" do të rinovojnë 5 shtëpi në veri
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë me dije se afaristi nga Mitrovica, Lindrit Misini, ka shprehur gatishmërinë e tij për t`i përkrahur mitrovicasit që janë prekur nga vërshimet e fundit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se "Djemtë e Mitrovicës", do të bëjnë rinovimin e tërësishëm të pesë shtëpive në lagjen e boshnjakëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Sot, prita në takim afaristin mitrovicas, Lindrit Misini. "Djemtë e Mitrovicës", si gjithmonë me zemër të madhe e dorëlirë, do të bëjnë rinovimin e tëresishëm dhe paisjen me orendi dhe paisje shtëpiake të 5 shtëpive në lagjen e boshnjakëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Faleminderit! Bashkë për Mitrovicën!”, ka shkruar Hamza.
Reshjet e mëdha të shiut që kanë ndodhur javën e kaluar kanë prekur disa komuna të Kosovës. Mitrovica ka qenë ndër komunat më dëmtuar nga vërshimet.
Dëmet që janë shkaktuar nga këto vërshime mund të kapin shifrën e 10 milionë eurove.