Nuk e duan të vdekur Astritin, e duan të vrarë
Shkruan: Berat Buzhala
Astrit Dehari ka vdekur në burg para gati gjashtë vitesh. Është një subjekt politik që Astritin nuk e pranon të vdekur, e pranon vetëm të vrarë. Fatkeqësisht faktet i kanë kundër.
Tash kur drejtësinë e kanë vetë në dorë, tash kur ekspertët dhe institutet që vetë i zgjodhën raportuan ndryshe prej pritjeve të tyre, ose ndryshe prej agjendës së tyre politike, kreu i LVV-së, madje vetë ministrja e drejtësisë!, e filluan propagandën se qysh instituti zviceran është shërbyer me prova të manipuluara.
Nëse e paskan ditur që çdo gjë është e manipuluar, pse atëherë pranuan që të bëhen pjesë e një hetimi ndërkombëtar? Nëse çdo gjë paska qenë e montuar, çfarë kuptimi paska pasur që të zgjidhet një institut në Zvicër, për të konstatuar një rast të manipuluar? A ndoshta, ka dominuar logjika: hajt ta provojmë?
Ky subjekt politik është futur në një fazë re të abuzimit me Astritin e vdekur, mohimin e së vërtetës, pa marrë parasysh faktet, ose siç thoshte Donald Trump, po shërbehen me fakte alternative. Tash më asgjë nuk mjafton, sepse çdo gjë qenka e manipuluar.
Nuk ka temë më problematike për t’u diskutuar se sa vdekja e një të riu, por kjo bëhet më pak problematike, kur dikush provon të krijojë epërsi morale, duke llogaritur që të tjerët do të hezitojnë të kontestojnë insistimin e familjes, ose insistimin e partisë, që rastin tragjik ta paraqesin si vrasje.
Është rast tepër i rëndë, por gjithashtu është rast tepër i rëndësishëm që të injorohet prej akterëve të pavarur dhe objektiv, siç supozohet që do të duhej të ishin mediat. Nëse vdekja e Astritit ishte përdorur nga një parti politike si pretekst për ta përmbysur edhe rendin juridik, atëherë ajo duhet të shoshitet dhe monitorohet me kujdes dhe objektivitet, pa marrë parasysh se sa tragjik është rasti.
Po bëhen gjashtë vjet prej kur Lëvizja Vetëvendosje e ka inxhinieruar këtë rast tragjik si kauzën më të madhe politike në vend. Ministrja e Drejtësisë, mbrëmë në një intervistë në KTV, tha se vrasja e Astritit është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës.
Nuk mund të qëndrosh neutral ndaj kësaj deklarate skandaloze, për më tepër të ministres së drejtësisë, që një rast të pazbardhur ende, kur në shprehje po dalin prova të tjera, ta paraqet si vrasje. Mjaft është helmuar publiku me propagandë. Deri dikund edhe mund të përbihet propaganda kur ajo bëhet prej një partie opozitare, por ajo është e patolerueshme kur bëhet prej partisë në pushtet.
Përveç që është abuzim flagrant me të vdekurin, përveç që përmes një rasti tragjik tentohet të përfitohet politikisht, deklarata të këtilla si këto të ministres Haxhiu, janë ndërhyrje direkte në drejtësi. Paramendojeni nëse rasti iniciohet prej një prokurori frikacak e servil. Ai prokuror, dhe ai trup gjykues, do ta kishin mbështetjen e plotë të ministres dhe kryeministrit që t’i japin epilog këtij rasti ende pa filluar procesi.
Ministrja dhe shefat e saj tashmë e dinë se Astriti është vrarë, prandaj ata presin vetëm dënimin e dikujt. Marrë parasysh gjuhën që ata e përdorin, mënyrën se si ata e trajtojnë këtë rast në publik, gjëja e fundit që do të brengoseshin po të fillonte një proces, do të ishin provat. Sipas tyre, prova janë deklaratat dhe dyshimet e tyre.