Norvegjia zbulon metale e minerale të konsiderueshme në shtratin e detit
Autoritetet norvegjeze thanë të premten se, në bazë të një studimi vendës, është gjetur një sasi “e konsiderueshme” e metaleve dhe mineraleve, nga bakri deri te mineralet e rralla, në shtratin e detit.
Shteti i Evropës Veriore, eksportues i rëndësishëm i naftës dhe gazit, është duke e shqyrtuar mundësinë që të hapë zona në det të hapur për të nxjerrë minerale nga thellësia e detit, proces që duhet të miratohet nga kuvendi dhe që ka nxitur shqetësim për dëmtimin e mundshëm të mjedisit, raporton agjencia "Reuters".
“Nga metalet e gjetura në shtratin e detit, në zonën e studimit, magnezi, niobiumi, kobalti dhe minerale gjenden në listën e Komisionit Evropian për minerale kritike”- tha Drejtoria Norvegjeze e Naftës, e cila e kreu studimin.
Vlerësimi i burimeve, që mbulon zona të largëta në Detin Norvegjez dhe në Detin e Grenlandës, tregon se ekzistojnë 38 milionë tonë bakër, shifër që është gati dyfish më e madhe se sasia që nxirret çdo vit në botë, dhe 45 milionë tonë zink të grumbulluar në sulfide polimetalike.
Sulfidet gjenden përgjatë brezit të mesëm oqeanik, ku magma e kores së Tokës arrin deri te shtrati i detit, në thellësi prej rreth tre mijë metrave, raporton agjencia “Reuters”.
Rreth 24 milionë tonë magnez e 3,1 milionë tonë kobalt vlerësohet se ndodhen në formën e koreve të manganit që janë krijuar gjatë miliona vjetëve.
Vlerësohet se në koret e manganit ka edhe metale të tjera të rralla, si neodimiumi, itriumi dhe disprosiumi. “Minerale të kushtueshme e të rralla, si neodimiumi dhe disprosiumi janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për magnetet në turbinat e erës dhe në motorët e automjeteve elektrike”- thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Naftës.
Grupet për mbrojtjen e mjedisit i kanë bërë thirrje Norvegjisë që ta shtyjë nxjerrjen e mineraleve në shtratin e detit të saj derisa të bëhen më shumë studime për t’i kuptuar organizmat që jetojnë në shtratin e detit dhe ndikimin e nxjerrjes ndaj tyre.
Instituti për Hulumtime Detare tha në një letër se ka mungesë të madhe të dijes për thellësinë e oqeaneve, ku specie të reja e të pazbuluara mund të zbulohen.
