Në Suedi zbulohen rezervat më të mëdha të mineraleve të rralla në Evropë
Rezervat më të mëdha të mineraleve të rralla në Evropë, të cilat përdoren për prodhimin e pajisjeve të ndryshme, nga telefonat deri te raketat, janë zbuluar në skajin verior të Suedisë.
Në Evropë nuk janë duke u nxjerrë minerale të rralla për momentin dhe një ministre suedeze e vlerësoi lart këtë zbulim si mënyrë për ta ulur varësinë e Bashkimit Evropian nga Kina, raporton televizioni BBC.
Ky zbulim po shihet edhe si vendimtar për tranzicionin e gjelbër, duke e marrë parasysh rritjen e pritshme të kërkesës për automjete elektrike dhe turbina të erës.
Rreth 98 për qind e mineraleve të rralla që u përdorën në Bashkimin Evropian më 2021, ishin importuar nga Kina, ndërsa raportohet se në pjesën veriore të Suedisë janë zbuluar rezerva prej më shumë se një milion tonësh të mineraleve të rralla.
Termi “minerale të rralla” përdoret për një grup prej 17 elementesh kimike që përdoren për prodhimin e një vargu produktesh dhe në infrastrukturë, gjithnjë më të rëndësishme në jetën e përditshme.
Këto elemente gjenden në telefona, pajisje kompjuterike e trena, por janë të rëndësishme edhe për teknologjinë e gjelbër, përfshirë turbinat e erës dhe veturat elektrike. Disa janë thelbësore për pajisje ushtarake si sistemet për drejtimin e raketave.
Nxjerrja e tyre është edhe e vështirë, edhe potencialisht e dëmshme për mjedisin. Kërkesa për këto minerale pritet të rritet pesëfish deri në vitin 2030.
“Litiumi dhe mineralet e rralla do të jenë më të rëndësishme se nafta e gazi”- tha vitin e kaluar komisionari i BE-së për tregun e brendshëm, Thierry Breton.
Duke folur të enjten në një konferencë për gazetarë, ministrja e Energjisë e Suedisë, Ebba Busch, tha se Bashkimi Evropian është shumë i varur nga vendet e tjera për këto lëndë dhe këmbënguli se nevojitet ndryshim i këtij fakti.
“Elektrifikimi, vetëmjaftueshmëria e BE-së dhe pavarësia nga Rusia e Kina do të fillojnë në minierë”- vlerësoi ajo.
Sidoqoftë, shefi ekzekutiv i kompanisë minerare LKAB, Jan Mostrom, tha se materialet e zbuluara rishtazi mund të mos arrijnë në treg para 10 apo 15 vjetëve. Procesi i marrjes së lejes për nxjerrje merr kohë për shkak të vlerësimit të rrezikut për dëmin ndaj mjedisit. Sidoqoftë, ai u bëri thirrje autoriteteve që ta përshpejtojnë këtë proces “për ta siguruar nxjerrjen e shtuar të këtij lloji të lëndëve të para në Evropë”.