“Normalizimi i çmimeve”: Pse Abdixhiku ia 'vizatoi' Vetëvendosjes problemin e inflacionit?
Vetëvendosje dhe LDK kanë hapur shumë fronte kundër njëra-tjetrës, por njëri prej tyre prek secilin prej nesh: rritja e çmimeve. Qysh po zhvillohet kjo betejë dhe kush ka të drejtë?
Dy ditë më parë, ministri i Financave Hekuran Murati e bëri një postim ku u shpreh se “çmimet kishin filluar t’i kthehen normalitetit”.
Ai e pranonte se kishte ende produkte të cilat vazhdonin të kishin çmimet “përtej normales” dhe për një gjë të tillë – merreni me mend – e bënte me faj Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Kjo gjë do të rregullohej me Ligjin për Çmimet Tavan, por ja që LDK-ja e ka dërguar në Kushtetuese për ta bllokuar.” – thoshte ministri.
Një sulm të tillë LDK-së ia ka bërë më herët edhe kryeministri Albin Kurti.
Pse LDK-ja e dërgoi në Kushtetuese?
Në fakt, çdo projekt-ligj që nga partitë opozitare konsiderohet apo dyshohet se është antikushtetues duhet dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Por, ja që njerëzit e partisë në pushtet duket se nuk po e kuptojnë një gjë të tillë. Kjo u ilustrua veçanërisht me fjalët e deputetit Adnan Rrustemi:
“Gjithçka që është në të mirë të qytetarëve, LDK kërcënon me Gjykatë Kushtetuese.”
LDK-ja kishte vlerësuar se projekt-ligji në fjalë, për çmimet tavan, paraqiste “një ndërhyrje arbitrare në vlerat e tregut të lirë.”
“Ne i kemi adresuar dhe konkretizuar tri nene të Kushtetutës, është neni 7 ku flet për vlerat, neni 10 i cili flet për organizimin e tregut të lirë,” – kishte thënë Driton Selmanaj nga kjo parti politike.
LDK-ja ka kërkuar në vazhdimësi që pushteti të hartonte hapa tjerë për uljen e çmimeve, kërkesë kjo që s’është marrë parasysh.
Çka vizatoi Abdixhiku?
Duke e përdorur frazën e famshme të Përparim Ramës “a ta vizatoj?” për të shpjeguar sa më thjesht një gjë të caktuar, Abdixhiku i LDK-së e vizatoi shtrenjtimin e çmimeve përgjatë dy viteve të fundit.
“Po ja u vizatoj. Çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127. Dhe rritja vazhdon. Sepse paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje.” – argumentoi ai, duke përdorur të dhënat e ASK-së.
A janë normalizuar çmimet siç po pretendon ministri Murati, dhe kush ka faj për mos-normalizimin e tyre? ‘Vizatimi’ i kryetarit të LDK-së mund të ketë ndihmuar për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.