Njeriu i afërt i Kusari-Lilës: Dyshime për dallavere në dy konkurse në Spitalin e Gjakovës
Në Spitalin e Gjakovës janë në proces e sipër dy konkurse, për shofer dhe për arkëtare. Në dy konkurset po dyshohet se ka dallavere për kurdisje dhe ndikime familjare nga zyrtarë të lartë të këtij institucioni, shkruan Gazeta Shneta.
Një kandidate për arkëtare i është drejtuar Gazetës me një ankesë dhe dyshimet e saj se pozita e arkëtares i është përgatitur bashkëshortes së drejtorit të Infermierisë në këtë spital, Arbër Pozhegut.
Kjo për faktin se gruaja e Pozhegut ka dalë e para në testin me shkrim.
Gazeta ka kontaktuar me Pozhegun për këtë çështje, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Pozhegu ka qenë i njohur edhe më herët në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje për menaxhimin e Spitalit të Gjakovës.
Sipas reagimit të LVV-së në Gjakovë të cilët ankoheshin se në këtë spital po punësohen persona të afërt me partinë Alternativa e cila është në koalicion me Vetëvendosjen në Qeveri. Në këtë reagim Pozhegu përmendet si person i afërt me Mimoza Kusari-Lilën.
Në këtë reagim të LVV-së pretendohej se Jeton Vorfi shef në spital, duke “cituar” Kusari Lilën ka kërkuar që të hiqen nga pozitat në këtë spital edhe të dy anëtarët e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, Behare Alija (u.d. e drejtoreshës së Infermierëve) dhe Genc Hoxhaj (udhëheqës i radiologjisë).
“Të dy këta pas shumë presionesh dhe me aprovimin e dr. Jeton Zararit janë hequr nga pozita, njëri me shkarkim e tjetri me konkurs, ku janë zëvendësuar nga shokët e dr. Vorfit, z. Ahma i cili është eksponent i njohur i PDK’së, është zgjedhur në konkursin e fundit udhëheqës i radiologjisë dhe tjetri është zëvendësuar nga z. Pozhegu (U.d. drejtor i infermiereve) i afërm (familjarisht) i Mimoza Kusari-Lilës”.Ndërkaq një kandidat në konkursin për shofer po pretendon se i është bërë dallaver në rezultatet e testit me shkrim duke mos e poentuar sipas meritave. Për këtë çështje ai ka deponuar edhe ankesë në organet e spitalit të Gjakovës.