"Një shtet i rëndësishëm": Vuçiqi pretendon se kishte ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten akuzoi një “shtet të rëndësishëm” për ndërhyrje në zgjedhjet e vendit të tij pas një vargu kritikash ndërkombëtare për parregullsi të pretenduara gjatë garës politike të fundjavës.
“Unë besoj se autoritetet serbe janë duke përgatitur një letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një shteti të rëndësishëm në procesin zgjedhor në Serbi”- tha ai gjatë një paraqitjeje televizive, pasi ishte pyetur për kritikat e Gjermanisë rreth zgjedhjeve, raporton faqja “Euroactiv”.
Presidenti serb tha se letra ku përvijohen akuzat me gjasë do të publikohet në janar të vitit të ardhshëm.
Komentet e tij erdhën vetëm disa ditë pasi Gjermania citoi një raport të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve për një varg parregullsish të pretenduara gjatë zgjedhjeve, duke i quajtur konkluzionet e raportit “të papranueshme” për një shtet që shpreson të anëtarësohet në BE.
Bashkimi Evropian ka thënë se “procesi zgjedhor [në Serbi] kërkon përmirësim të prekshëm dhe reformë të mëtejshme”. Departamenti i Shtetit i ShBA-së i ka bërë thirrje Beogradit që t’i adresojë “shqetësimet” e vëzhguesve të zgjedhjeve.
Edhe pse Vuçiqi nuk ishte personalisht në listën zgjedhore, zgjedhjet parlamentare e lokale janë parë gjerësisht si referendum për qeverinë e tij.
Partia Progresiste Serbe (SNS) e Vuçiqit fitoi rreth 46 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërsa koalicioni udhëheqës opozitar siguroi 23,5 për qind, sipas rezultateve zyrtare.
Grupet opozitare kanë hedhur dyshime për vlefshmërinë e këtyre zgjedhjeve pas akuzave se Qeveria ka lejuar votues të paregjistruar nga Bosnja që të votojnë në mënyrë të paligjshme në Beograd.
Megjithatë, jo të gjithë kanë pasur kritika. Aleatja e vjetër, Rusia, e “përgëzoi” Vuçiqin për fitoren e partisë së tij, ndërsa edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, e përshëndeti “fitoren dërrmuese” të Vuçiqit.