Një mysliman vritet në Indi për shkak se kishte mish lope, arrestohen tre persona
Policia në Indi ka arrestuar tre burra në shtetin lindor indian, Bihar, në lidhje me vdekjen e një burri mysliman, i cili dyshohej se ishte duke bartur mish lope, tha të shtunën një zyrtar policor.
Viktima, Naseem Qureshi, 56 vjeç, vdiq këtë javë, pasi u sulmua nga një turmë nën dyshimin se ishte duke bartur, shitur e konsumuar mish lope, që janë veprime të kufizuara në disa pjesë të vendit nga qeveritë lokale, raporton agjencia “Reuters”.
Lopët janë të shenjta në Hinduizëm dhe në Indi ka pasur sulme të shpeshta ndaj personave të akuzuar për vrasjen e këtyre kafshëve për t’ua marrë mishin ose lëkurën, kryesisht nga pakica myslimane ose nga grupet më të ulëta të sistemit antik të kastave në Indi.
Grupet ekstreme hinduse kanë kërkuar që konsumimi i mishit të lopës të ndalohet plotësisht në tërë vendin.
Në shtetin Bihar, në pushtet tash për tash është një parti rajonale, ndërsa partia e kryeministrit Narendra Modi ndodhet në opozitë.
Në incidentin e fundit, dyshohet se viktima ishte rrethuar nga më shumë se 20 njerëz dhe ishte sulmuar, sipas një deklarate të policisë në gjykatë. Policia ndërhyri në rast, por Qureshi vdiq rrugës për në spital, thuhet në atë deklaratë.
Ramchandra Tiwari, komandant i policisë në Rasulpur, ku ndodhi sulmi, tha përmes telefonit se tre persona janë arrestuar.