Një ditë para mbylljes së afatit, vetëm dy koalicione kanë aplikuar në KQZ-së - NACIONALE

Një ditë para mbylljes së afatit, vetëm dy koalicione kanë aplikuar në KQZ-së

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Partitë e mëdha duket se nuk do t`i preferojnë koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Deri me tani VV-ja, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë me dije se në këto zgjedhje do të garojnë si subjekte të vetme. Megjithatë, këto janë shprehur të hapura rreth marrëveshjeve politike me subjekte më të vogla për t`i pasur kandidatët e tyre brenda listave partiake.

Një ditë para skadimit të afatit për aplikim për regjistrimin e koalicioneve, KQZ-ja ka treguar numrin e subjekteve që kanë aplikua për koalicion.

“Është duke vazhduar afati për partitë politike të regjistruara për të njoftuar KQZ-në se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025 do të marrin pjesë përmes koalicionit. Kjo periudhë, e cila ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke treguar emrat e dy koalicioneve.

“Deri më tani (e shtunë, 29 nëntor 2025, ora 13:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim:- “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; dhe - Koalicioni VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BS-K) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, është shprehur ai.

Meqenëse nuk po i preferojnë koalicionet parazgjedhore, subjektet e mëdha politike kanë bërë marrëveshje me subjekte të vogla, të cilat do të garojnë brenda listave të subjekteve të mëdha.

Partia e Drejtësisë ka njoftuar se kandidatët e saj do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së.

Përmes një njoftimi kjo parti ka treguar se kjo marrëveshje është miratuar edhe nga kryesia e partisë.

“Zgjidhjen më të përshtatshme për përfaqësimin dinjitoz të vlerave, programit dhe përvojës shtetëndërtuese të Partisë së Drejtësisë në këto zgjedhje, duke siguruar qasje të përbashkët drejt përgjegjësisë publike dhe qeverisjes qendrore cilësore”, është thënë në njoftim, duke dhënë detaje tjera.

“Partia e Drejtësisë thekson se ky vendim reflekton orientimin tonë të qartë drejt unitetit e bashkëpunimit politik, stabilitetit institucional dhe rritjes së mundësive për përfaqësim të vlerave të mirëfillta qytetare me profesionalizëm dhe integritet”, është thënë në njoftim.

Një marrëveshje të tillë e ka bërë edhe PDK-ja me koalicionin “Lista për Famijen”

Lajme të ngjashme