Një burrë në ShBA pritet të ekzekutohet për therjen e gruas dhe mbytjen e vajzës së saj në vaskë
Një i burgosur në Teksas të ShBA-së ballafaqohet me ekzekutim të martën në mbrëmje për therjen për vdekje të gruas së tij dhe mbytjes në vaskë të vajzës së saj 6-vjeçare para gati 14 vjetëve.
Gary Green, 51 vjeç, pritet të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës për vdekjen e 32-vjeçares Lovetta Armstead dhe 6-vjeçares Jazzmen Montgomery, në shtëpinë e tyre në Dallas në shtatorin e vitit 2009, raporton agjencia “Associated Press”.
Babai i vajzës, Ray Montgomery, tha se nuk është u ngazëllyer për ekzekutimin e Green-it, por e sheh këtë vendim si funksionim të sistemit të drejtësisë.
“Është drejtësi për mënyrën se si vajza ime ishte torturuar. Është drejtësi për mënyrën se si Lovetta ishte vrarë”- tha babai i saj.
Deri të hënën vonë, avokatët e të dënuarit nuk paraqitën ndonjë kërkesë për ndalimin e ekzekutimit të klientit të tyre, që është planifikuar për të martën në mbrëmje në Huntsville të Teksasit.
Në ankesat e mëparshme, avokatët kishin pretenduar se Green-i kishte të meta mendore dhe histori të gjatë të çrregullimeve psikiatrike.
Ato ankesa ishin hedhur poshtë nga Gjykata Supreme e ShBA-së dhe nga gjykatat më të ulëta të apelit.
Autoritetet kanë thënë se Green-i i kishte vrarë dy viktimat, pasi zonja Armstead synonte që ta anulonte martesën e tyre.
Në ditën e vrasjeve, Armstead-i ia kishte dërguar dy letra Green-it, duke i thënë se, edhe pse e donte, ajo duhej ta bënte atë që ishte më e mira për të.
