Një biletë të Sunny Hill-it për ty!
Shkruan: Emira Limani
Sa kushton brendim i një vendi? A ka çmim neglizhenca e pakuptimtë e autoriteteve? Sa më gjatë të shtyhet kjo çështje, më shtrenjtë do të paguhet. Nuk është aspak e drejtë të humbet edhe një gjeneratë në hamendje se çka prezanton Prishtina, se a ia vlen të jetosh dhe ta vizitosh Prishtinën. Vlerat e qytetit duhet të radhiten shumë qartë, të promovohen dhe të mbrohen me fanatizëm. Niveli lokal dhe qendror duhet të koordinojnë aktivitetet që mbajnë gjallë këto vlera. Nuk mund të pritet zhvillimi i turizmit të jashtëm nëse nuk zhvillohet së pari ai i brendshëm.
Nëse Kosova ka mbi 200 000 banorë që jetojnë në diasporë, nga ata të paktën gjysma vijnë çdo vit në Kosovë, dhe shumë nga ata perveç vizitave familjare, vizitojnë edhe Prishtinën. Diaspora ka ecur përpara dhe Prishtina duhet të plotësojë domosdoshmërisht nevojat e tyre për t’i pasur gjatë sezonit veror, e pse jo, edhe gjatë atij dimëror.
Është e qartë që shumica e aktiviteteve kulturore zhvillohen gjatë periudhës së verës. Në rastin më të mirë, këto iniciativa vijnë nga Diaspora dhe një nga këto, me emër lehtë të identifikushëm për Prishtinën: Sunny Hill (Bregu i Diellit). Për disa vite me radhë, Sunny Hill shtyn një proces që pak njerëz ia mendojnë efektin afatgjatë. Efekti Sunny Hill ka vlerë më të madhe për brendimin e Prishinës dhe Kosovës se çdo diskutim i hapur deri më tani në këtë temë. Qytete të tëra antike apo moderne zhvillojnë strategji dhe organizojnë aktivitete për të spikatur veten në hartën botërore. Këto aktivitete ata i pagujnë, i promovojnë dhe kërkojne me ngulm qëndrueshmërinë e tyre.
Për fatin e mirë të Prishtinës, Sunny Hill vetëfinancon organizimin e festivalit, përdor miqësitë profesionale në përzgjedhjen e artistëve, dhe krijon një ekip të tërë për të promovuar dhe realizuar aktivitetin e saj muzikor. Sunny Hill nuk i kërkon këto nga qyteti apo shteti! Shansat që këto iniciativa të vijnë prapë në Prishtinë apo në Kosovë, janë shumë të limituara, ose thjesht nuk e dimë. Nëse efekti Sunny Hill sjell përfitime për brendimin e qytetit (ku nga diskutimet në mbledhjen e kuvendit komunal nuk u shpreh asnjë dyshim në këtë aspekt), atëherë Prishtina duhet të jetë të pakten zëri i Sunny Hill-it.
Audienca besnike e Sunny Hill-it do ta vulosë vendimin e mbledhjes së kuvendit komunal të Prishtinës të dates 10 maj 2022. Niveli lokal dhe qendror është në një sprovë të vërtetë për dhënien në shërbim 17 hektarë festivalit. Dilema se a ka qenë votimi i duhur në nivel lokal do të shihet dhe do të vërtetohet vetëm nëse ato 17 hektarë mbushen përplot me fansa dhe adhurues të muzikës. Dhe jo vetëm.
Nëse ke ndonje mik nga jashtë, bleja këtë vit një biletë, sidomos nëse ai/ajo kurrë nuk e ka vizituar Prishtinën. Ofroji dikujt transport deri te lokacioni i festivalit, hape shtëpinë për dikë që s’mund të përballojë të rrijë në hotel... të mos rrimë duke vajtuar dhe analizuar raste hipotetike... s’kemi asgjë për të humbur. Ku s’e lamë, e ku s’na mbeti! ka identifikuar akterët e rëndesishëm të brendimit të vendit dhe TI je një nga ata. Liberalizimi i vizave kufizon lëvizjen e lirë të shtetasve të Kosovës, por jo edhe ardhjen e vizitorëve për festivalin Sunny Hill. Nuk është detyrë e askujt të nënçmojë një iniciativë të tillë, po është obligimi i secilit të identifikohet me ndonjë element të Prishtinës, të Kosovës... le ta bejmë Sunny Hill-in ‘Made in Prishtina’.
‘Believers’ apo besimtarët e vertetë të kauzës së festivalit, e vulosën vendimin e komunës me blerjen e biletave me mbi 50% zbritje. Early birds – zogjtë e hershëm kanë gjithashtu mundësi të marrin biletën e rregullt të Sunny Hill-it me rreth 30% zbritje. Të tjerët i presin të dalin në treg biletat VIP dhe të gëzojnë veten por edhe të tjerët me këtë dhuratë. Numri i biletave të shitura është një tregues i qartë dhe i saktë i situatës së krijuar.
Gjithë ato diskutime për dhe kundër eventit më të rëndësishëm që ka Prishtina dhe Kosova, janë më shumë për konsum të brendshëm. Nëse nuk të pelqen të shkosh ose s’ke mundësi të harxhosh, bëje atë që s’të kushton asgjë, rolin tënd në brendimin e Prishtinës, atë që teoria e brendimit të vendit sipas Kavaratzis, e quan komunikim tercial. Fol për këtë event (word of mouth), shkruaj dicka për këtë event, shpërndaje linkun e këtij eventi, jepi hov dhe zë këtij eventi.
Le t’i japim vullnet iniciativave të mira që kjo praktikë të vazhdojë dhe të përparojë edhe më shumë.