Ku s’e lamë e ku s’na mbeti! - NACIONALE

Ku s’e lamë e ku s’na mbeti!

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Prishtina dhe Kosova, i kanë të gjitha dhe s’kanë asgjë. Emri Prishtinë nuk identifikohet menjëherë nga Evropiano-perëndimorët. Ose nëse identifikohet, zakonisht shoqërohet me një komunikim joverbal që as vetë nuk do të doje ta dish çfarë është në mendjen e tyre.

Shkruan: Emira Limani

Pse hiç nuk pati “buzz” edhe pas 20 viteve pavarësi? Pse akoma Kosova nuk po arrin ta krijojë brendin e vet kombëtar? Autorët e mëdhenj si Kotleri (i cili për ironi ka pasur Konferencë në Prishtinë), kanë thënë se vendet/shtetet duhet të brendohen. Kotleri e ka filluar këtë trend para shumë viteve dhe e ka quajtur si brendim të vendit (place branding). Nuk është çudi që ligjeratat e tij por edhe të paraardhësve të tij të marketingut janë degjuar me shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të kanë aplikuar politika dhe strategji shumë të avancuara brendimi dhe jo rastësisht imazhi i tyre është i pakrahasueshëm. Kur përmendet Nju Jorku (New York), lehtë e asociojmë emrin me nje imazh/fotografi. Njëjtë për emrin Kaliforni (California), apo edhe Hollivud (Hollywood). Këto regjione apo edhe institucione e kanë përcaktuar qartë imazhin apo përceptimin që duan të krijojnë te konsumatorët e tyre apo edhe te publiku i gjerë. Nuk është e rastësishme. Për mirëmbajtjen e reputacionit pozitiv duhet përkushtim mes gjeneratave, mes qeverive, politikëbërësve pa marrë parasysh cila parti politike udhëheq vendin.

Shtetet e Evropës perëndimore e shtjelluan tutje këtë term në brendim të kombit, brendim të qytetit dhe mbajnë flamurin paralel me SHBA-të në këtë fushë. Britania e ka edhe themeluesin e një prej rankimeve më të rëndesishëm të fushës: Good Country Index, ekspertin Simon Anholt. Edhe në edicionin e pestë të indeksimit, Kosova nuk është përzgjedhur të jetë mes 169 shteteve të listuara të botës.

Shpesh e kam pyetur veten pse për një gjë të tillë, kur kihet parasysh që brenda kategorive të vlerësimit janë: Shkenca dhe Teknologjia, Kultura, Paqja dhe siguria ndërkombëtare, Rendi botëror, Planeti dhe klima, Prosperiteti dhe barazia, dhe Shëndeti dhe mirëqenia. Për këto kemi shumë për të thënë.

Në një podcast, Anholti e pranoi që nuk ishte as i vetëdijshëm që shteti i Kosovës njëherë e një kohë ka paguar shuma të majme për kampanjën Young Europeans. “Për fat të keq nuk paskam dëgjuar…” - e tha si me përbuzje. Si ekspert i fushës do të duhej të dinte diçka për këtë kampanjë, por si iniciator dhe buxhetar të kësaj kampanje, sa persona në Kosove dinë për të? Departamentet përkatëse, ministritë dhe qeveria e asaj kohe që ndau buxhetin për këtë kampanjë a ka pranuar ndonjë raport monitorimi dhe rezultatet e arritura të kësaj kampanje? Sa shtete na kanë njohur për shkak të kësaj kampanje, dhe rrjedhimisht, a ka ndryshuar imazhi i shtetit të Kosovës? Sa shumë pyetje…

Japonia dhe Korea e Jugut, sado që janë larg realitetit tonë të përditshëm, kanë avancuar aq shumë në fushën e brendimit të vendit, saqë tani punojnë për brendimin e zonave të vogla brenda shtetit, qoftë viset malore, zonave rreth lumenjve por jo vetëm. Korea e Jugut përveç që ka krijuar një komision mbi-ministror – këshill presidencial për brendim të kombit, ka shndërruar këtë mision në vlerë kombëtare. Një vend nuk është e thënë që patjetër t’i ketë peizazhet më të bukura në botë, as liqene apo lumenj të pakrahasueshëm për t’u njohur në arenën ndërkombëtare. Vendi duhet të identifikojë vlerat unifikuese nga vetë banorët e atij vendi dhe të zhvillojë strategji afatgjate për mirëmbajten e tyre. Vendit nuk i duhet marketing sikur produkteve, sepse vetëm se ekziston. I duhet më shumë se marketing dhe më shumë se një strategji turizmi.

Shtetet e zhvilluara të Evropës perëndimore kanë arritur të kenë edhe më shumë se sa imazh pozitiv për veten e tyre. Ata bashkëpunojnë, organizojnë konferenca me ekspertë të fushës së brendimit të vendit, analizojnë praktikat e mira, raste studimi, etj. Ata japin këshillime për shtetet që janë të interesuara t’i hyjnë këtij procesi, por ata edhe janë shumë të bindur që iniciativa dhe materiali primar bazë duhet të vijë nga brenda shtetit/vendit. Sektori publik, privat, shoqëria civile, pjesëmarrës të komunitetit, duhet të identifikohen, dhe procesi të inicohet me një premtim të vetëm… të mos ndërpritet.

Shtetet nuk kanë afat skadimi, e njëjtë duhet të jetë dhe kjo strategji, të percillet nga një gjeneratë te tjetra.

Nuk është vonë… hap pas hapi!

Lajme të ngjashme