NISMA dënon ashpër sulmin në Ibër-Lepenc: Akt terrorist dhe i papranueshëm
NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt, ka dënuar ashpër sulmin që ndodhi mbrëmjën e së premtes në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit.
Përmes një komunikate për media nga NISMA kanë thënë se ky sulm është një akt terrorist i rëndë dhe i papranueshëm.
Tutje nga kjo parti kanë deklaruar se qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe të gjitha institucioneve të sigurisë.
Postimi i plotë:
Sulmi i mbrëmshëm ndaj infrastrukturës kritike në veri të Kosovës është një akt terrorist i rëndë dhe i papranueshëm, që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Ky sulm i orkestruar është një goditje ndaj stabilitetit dhe shtetësisë së Kosovës, dhe kërkon përgjigje të menjëhershme, të vendosur dhe të bashkërenduar me partnerët tanë ndërkombëtarë.
NISMA Socialdemokrate dënon fuqishëm këtë akt terrorist dhe qëndron fuqishëm përkrah Policisë së Kosovës, AKI-së dhe të gjitha institucioneve të sigurisë që po angazhohen për të rikthyer rendin dhe për të sjellë autorët e këtyre veprimeve kriminale para drejtësisë.
Kjo është një thirrje për forcimin e aleancës sonë me partnerët strategjikë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe vendosmërisë mund të mbrojmë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit tonë.
Siguria dhe stabiliteti i Kosovës janë të panegociueshme. Çdo akt terrorist ndaj Kosovës duhet të marrë përgjigjen që meriton!