Nisja e sesionit vjeshtor: 'Pëshpërimat' më të forta se zhurmat në Kuvend
Ka nisur sesioni vjeshtor i punimeve të Kuvendit të Kosovës, pikërisht në kohë ‘ethesh’ nga reality show-t tjerë ‘konkurrues’. Trivialitete, fjalime të gjata, përplasje të dëgjuara e padëgjuara ndodhën derisa tema kryesore ishte greva dhe kriza ekonomike. Por, çfarë pëshpëritjesh fshehën zhurmat e mëdha në Kuvend?
Nisja e seancës solli vëmendjen e pritshme te deputetja Doarsa Kica Xhelili. A do të krijohej situatë e pakëndshme derisa gjente ulësen e saj në Grupin Parlamentar të LDK-së? Nuk ndodhi kështu. Ajo u ul afër kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut, në rend të parë të krahut të djathtë të Kuvendit.

Në anën tjetër, deputetët e Vetëvendosjes që raportohet të jenë të pakënaqur me lidershipin e partisë kanë mbetur të heshtur. Dita e parë nuk dha rast për më shumë dramë brenda-partiake, derisa polemikat e zakonta pozitë-opozitë çonin më së shumti pluhur.
Disa ‘aksidente’
Një aksident i vogël ndodhi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryekuvendarit Glauk Konjufca. Si duket, kryeministrit nuk i pëlqeu diçka te vartësi i tij në parti që po drejtonte Kuvendin. Dyshja u kap nga kamerat derisa po fjalosej me njëri-tjetrin, megjithëse kjo fjalosje nuk u dëgjua.
Nacionale mori vesh se bëhej fjalë për lejimin ose jo të diskutimeve mbi mocionin e grevës, që e kishte propozuar PDK-ja. Konjufca mendonte se diskutimet duheshin lejuar, ndërsa Kurti mendonte se nuk duheshin lejuar.
Më vonë u mor vesh se Kurti ishte paksa në zor. Ai e kishte një fjalim të gjatë para vetes për ta lexuar, dhe më e rëndësishmja, një takim të paparalajmëruar me emisarin e BE-së për dialogun (Lajçakun). Në lidhje me këtë takim, nuk ka ende asnjë informacion nga Qeveria e Kosovës – por dihet se Kurti me nguti u largua pas fjalimit nga salla e Kuvendit.
Aksidente tjera mund të konsiderohen edhe shpehjet e fytyrës së kryeministrit kur disa prej deputetëve opozitarë flisnin nga foltorja e Kuvendit. Ai rrudhi buzët nga kritikat e Lumir Abdixhikut. E shikoi i ngrysur Memli Krasniqin. Qeshi me fjalët e Bekë Berishës. E kështu me radhë.


Thelbi
E derisa ndodhnin gjithë këto banalitete, qytetarët vijonin të varfëroheshin nga inflacioni i lartë. Pikërisht kjo ishte tema qendrore e debatit të sotëm parlamentar, por që dështoi të mbeste relevante nga deputetët e kampit të pushtetit.
Memli Krasniqin nga PDK dhe Lumir Abdixhikun nga LDK që morën vëmendjen kryesore sa i përket temës.

Krasniqi propozoi pesë masa të menjëhershme në mënyrë që të tejkalohej kriza ekonomike, të cilat parashihnin lirim nga tatimi dhe rritje të pagave në përputhje me normën e inflacionit.
Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku ishte më i drejtpërdrejtë në opozitarizmin e tij duke u shprehur:
“Albin Kurti është dorëzuar (ndaj krizave). I ka çu duart. Nuk i besonte as vetes, masave e politikave që i lexonte. Më jepte përshtypjen si një kopshtar në lufta, e një luftëtar në kopsht... A përnjëmend mendoni që gjendja ekonomike është e mirë. A keni biseduar ndonjëherë me mësues me mjekë? Me ndërmarrje, me punëtorët tanë? A po e kuptoni që tu i mbajt 700 milionë euro të bllokuara, e refuzon t’ia rritësh pagat sektorit publik. Po të bankroton shteti, ato 41 milionë euro në very të parat duhet të hiqeshin?” – u shpreh z. Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së akuzoi Kurtin edhe se po e përdorte Grevën e Përgjithshme si instrument politik për të ndërtuar idenë se donin ta rrëzonin nga pushteti.
Dhe këto i konfirmoi më vonë vetë Kurti në fjalimin e tij, që akuzoi Rrahman Jasharajn se kishte lidhur aleancë politike me opozitën – ani pse nuk pati ndonjë fakt për ta mbështetur një gjë të tillë.
PDK ka kërkuar miratimin e një rezolute në lidhje Grevën e Përgjithshme, dhe e cila ka marrë mbështetje nga ana e dy partive tjera opozitare. Por, ajo nuk pritet të mbështetet nga partia e pushtetit.
Sidoqoftë, do të jetë interesante të kuptohet nëse ndonjë prej deputetëve të pushtetit do ta mbështes atë.