Ministria e Financave ka një njoftim për pensionistët kosovarë
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ekipet mobile kanë filluar angazhimin me qëllim lajmërimit të pensionistëve në dhe mbi moshën 85 vjeçare, nëpër shtëpitë ose banesat e tyre në regjionin e Prishtinës.
Ne njoftimin e tyre në Facebook, thuhet se ky shërbim ka filluar të zbatohet fillimisht në regjionin e Prishtinës (Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Lipjanit, Podujevës, Obiliqit dhe Graqanicës), si pilot-projekt, për të vazhduar më pastaj edhe në regjionet dhe grup moshat më tjera.
“Paraqitja e kërkesës për këtë shërbim bëhet në adresën elektronike pensionet.pr@rks-gov.net dhe është e kufizuar vetëm pensionistët që: Janë në apo mbi moshën 85 vjeçare (85+); Janë pensionistë të regjionit të Prishtinës; dhe Kërkesa është paraqitur së paku 7 (shtatë) ditë para datës kur pensionisti duhet të lajmërohet fizikisht pranë zyrave të Departamentit të Pensioneve”, thuhet në postimin e tyre.
Sipas tyre, kërkesa mund të paraqitet individualisht nga pensionisti apo nga çdo preson tjetër që e bën në emër të pensionistit.
Ata tutje kanë shtuar se kërkesat e tilla janë vlefshme vetëm nëse konfirmohet pranimi i shkresë elektronike, përndryshe kërkesa duhet të përsëritet.
Kujtojmë se muaj më parë pensionistët kishin organizuar një protestë. Ishin dy kërkesa themelore të kësaj proteste: eliminimi i lajmërimit të pensionistëve çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë, dhe subvencionimi i pensionistëve çdo muaj deri në rritjen e pensioneve.

