"Kërkush s'po interesohet për ne", pensionistët protestojnë para Kuvendit - u dhurojnë lule deputetëve - NACIONALE

"Kërkush s'po interesohet për ne", pensionistët protestojnë para Kuvendit - u dhurojnë lule deputetëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndonëse në moshë të shtyer, ata kanë zgjedhur të protestojnë. Para Kuvendit të Kosovës, pensionistët janë mbledhur për t’iu treguar kërkesat e tyre deputetëve, të cilëve po u dhurojnë nga një lule, si shenjë që të mos i harrojnë hallet e tyre.

Ismet Zeqiri, kryetar i Organizatës së Pensionistëve të Kosovës dhe Invalidëve të Punës në Shtime, thotë se këtë enjtje zgjodhi të protestojë pasi që e ndjeu se askush nuk po interesohet për të e bashkëmoshatarët e tij.

Edhe pse jemi në moshë, e të sëmurë, e të lodhur, por e pamë që askush nuk po interesohet, e falë këtij zotëriut këtu, gazetarit Pozhari, që e ka organizu këtë tubim, jemi ardhur me protestu këtu.”, i tha Zeqiri gazetës Nacionale.

E gjithë nisma u organizuar nga gazetari Xhevdet Pozhari, që fillimisht u organizuar nën thurrjet (#) për të kërkuar dinjitet për pensionistët.

Janë dy kërkesa themelore të kësaj proteste: eliminimi i lajmërimit të pensionistëve çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë, dhe subvencionimi i pensionistëve çdo muaj deri në rritjen e pensioneve.

Protesta

Zeqiri, që erdhi nga Shtimja, i shpjegon Nacionales arsyet e protestës, duke kërkuar heqjen e lajmërimit nëpër Qendrat Sociale çdo 6 muaj.

Sipas tij një gjë e tillë u sjellë shumë probleme.

Protesta jonë qëllim kryesor e ka moslajmërimin nëpër qendra sociale çdo gjashtë muaj. Ka njerëz të sëmurë, gjysëm të paralizuar, të paralizuar, duhet me u ngjitë shkallëve, nuk ka mundësi me i krye ato punë. Duhet me i angazhu disa familjar vetëm për atë arsye. Tjetra është që punëtorët që kanë punuar nga 40 vite, e më tepër, duhet me i pasë 15 vite e më tepër për me mujtë me e gëzu pensionin. Ka shumë akademikë, doktora, profesora, punëtorë e tjerë, që nuk mujnë me realizu ata. Qeto janë kërkesat kryesore, themelore, për të cilat po angazhohemi e jemi dalë sot.”, theksoi ai.

Ndërsa Nezir Bunjaku, një tjetër protestues 87-vjeçar, që dikur punonte si profesor, thotë se pensioni që merr nuk po i del pas inflacionit.

Kemi dalë me kërkue, sikur të gjithë tjerëve, me i rritë rrogat e pensionerëve. Qetash pensionerët janë më të paprivilegjuarit, me rrogat më të vogla. Prandaj kemi ardh me protestu për dinjitet, me i shti me na rritë pensionet, sepse janë rritë çmimet, e s’po dalin.”, tha ai për Nacionale.

Edhe një pensionist tjetër që jeton në Suedi, doli sot për t’i përkrahur bashkëmoshatarët e tij.

“Që ky vendimi me u lajmëru çdo 6 muaj, po më duket që është pak i tepërt, sepse ka njëri që nuk mund të lëvizë.”, deklaroi ai.

Kampanja për “dinjitetin e pensionistëve”

Ka disa ditë që në Facebook, Xhevdet Pozhari, analist, ka filluar një kampanjë për dinjitetin e pensionistëve, me anë të së cilës kërkon heqjen e obligimit për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj për pensionistët.

Tutje, sipas kampanjës, kërkohet subvencionim të pensionëve deri në rritjen e tyre.

Kampanjën e kanë përkrahur shumë politikanë e aktivistë të shoqërisë civile.

Së fundmi, ishte zonja Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së, që bëri publike përkrahjen për kërkesat e kampanjës.

Po ashtu, edhe ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu, ditë më parë kishte përkrahur nismën e Pozharit.

E një lule nga pensionistët ka marrë edhe Fitim Uka, deputet i VV-së, duke bërë publike mbështetjen e nismës për dinjitetin e pensionistëve.

Në hyrje të Kuvendit më uruan mirëseardhje disa pensionistë, që me mirësjellje më kërkuan mbështetje për dy kërkesa.

Me dinjitet kërkuan më shumë dinjitet.

Prandaj, edhe jam në mbështetje të tyre dhe të nismës “Dinjitet për pensionistët” të mikut Xhevdet Pozhari!”, ka shkruar Fitim Uka.

Lajme të ngjashme