Nga përplasjet për testimin deri te uniformat - çka tha drejtori i Policisë në Komision?
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka raportuar sot para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Aty i pari i Policisë u përball me pyetje të shumta e me replika aspak të këndshme.
Kryetari i këtij Komisioni, deputeti Bekë Berisha, ishte më i zëshmi në përballje me kryepolicin. Ai fillimisht ironizoi me testimin e policëve, duke i thënë Drejtorit se ua ka sjellë pyetjet edhe deputetëve, sepse sipas tij, as ata nuk dinë t’i zgjidhin.
“Unë ju kam sjellë deputetëve disa pyetje dhe ne këtu nuk e di a dimë t’i zgjidhim. Dihet çfarë niveli kemi të arsimit, sepse jemi në fund dhe me i ngarku aq shumë ata djem e vajza të reja me pyetje që i kanë bërë profesorët për t’i shëruar komplekset e veta. Sa është trendi që po e lëshojnë Policinë e Kosovës?”, ka pyetur Berisha
Mehmeti kësaj i është përgjigjur se policia shpesh kritikohet se nuk dijnë të shkruajnë, duke shtuar se as ai vetë nganjëherë nuk i kupton raportet e policëve.
“Neve na ka interesu që të kemi një logjikë te policët. Nuk besoj se ka dikush këtu në Komision që nuk i ka kritikuar policët, duke thënë se nuk dinë të shkruajnë. Unë vetë shumë shpesh kam probleme kur marr me lexu një raport të policisë dhe me kuptu çfarë ka dashur të thotë. Nëse dikush vërtetë nuk di me shkru, me lexu, me mbledhë e me shumëzu, atëherë e kemi problem me i mësu ata. Pyetje kryesisht që mësohen në shkollë fillore apo të mesme”,
Për trendin që po e lëshojnë Policinë e Kosovës, Mehmeti u përgjigj se është në rritje.
“Trendi i lëshimit të punës fatkeqësisht po rritet. Nuk i kam shifrat e sakta tani, por po e vërejmë që po rritet.”
Deputeti Berisha nuk e la me kaq debatin me Drejtorin. Kryetari i këtij komisioni u ndërlidh edhe me një grabitje që ndodhi sot në një bankë në Prishtinë, duke ironizuar sërish me Mehmetin dhe eprorin e tij, Ministrin Xhelal Sveçla.
“Kom mendu që Sfeklla i ka arrestu krejt hajnat, çka u bo kështu, kjo grabitje?”
Përplasje me Drejtorin pati edhe ish-i pari i Policisë, deputeti Rashit Qalaj. Shkak për këtë ishte veriu i Mitrovicës. Qalaj i bëri me dije drejtorit të tanishëm se nuk është hera e parë që policia ka operuar në veri, sepse kjo kishte ndodhur edhe më parë.
“Në një takim me kryeministrin i keni thënë se është hera e parë që këmba e Njësisë Speciale ka shkelur në veri falë jush. Kjo është një e pavërtetë e madhe”, tha Qalaj.
Mehmeti nga kjo “akuzë” u nxorr, duke thënë se Qalaj mund të ketë rënë pre e ndonjë interpretimi të gabuar, sepse sipas tij, si kishte thënë asnjëherë Kryeministrit një gjë të tillë.
“Unë nuk jam prej dje në Polici, z. Qalaj, dhe unë e di shumë mirë sa herë ka shkuar Policia në veri. Unë nuk kam thënë asnjëherë që këmba e policit ka shkelur për herë të parë në veri. Kush qysh ka thënë e qysh e kanë interpretuar unë nuk e di. Unë nuk e di qysh ju është transmetuar juve, por të jeni të sigurt z. Qalaj, ajo do të ishte një gënjeshtër e madhe.”
Por nuk ishte vetëm z. Mehmeti që u përball me kritika. Ai i vuri në situatë të sikletshme anëtarët e Komisionit kur ua përmendi uniformat e Njësisë Speciale, që sipas tij, që 5 vjet nuk është blerë asnjë e tillë.
“Që 5 vjet nuk është ble uniformë për Njësinë Speciale, e ata policë i kemi mbajtur në veri për dy javë”, u ka thënë Mehmeti deputetëve.
Ndërsa për shifrat gjatë vitit 2021 Drejtori i Policisë foli i papenguar, duke numëruar shifrat si në vijim:
“Gjatë vitit 2021, Policia e Kosovës ka evidentuar mbi 50 mijë raste, prej të cilave mbi 30 mijë raste të veprave penale, ndërsa 20 mijë janë klasifikuar si kundërvajtje. Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka ndaluar mbi 5 mijë persona për shkak të dyshimeve për përfshirje në akte të ndryshme kriminale. Po ashtu janë arrestuar mbi 15 mijë persona. Janë sekuestruar 3 kg heroinë, mbi 500 kg substancë narkotike kokainë. Në aspektin e luftimit të krimit të organizuar janë konfiskuar 7 milionë e 496 mijë e 568 euro.”