Nga "kopjoje të lutem" në "mos e lexo": VV nuk e mban premtimin e 12 shkurtit 2021 - NACIONALE

Nga "kopjoje të lutem" në "mos e lexo": VV nuk e mban premtimin e 12 shkurtit 2021

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka arritur ta mbajë një premtim fare të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm për transparencën dhe demokracinë. Bëhet fjalë për KOMUNIKATAT!

Vetëvendosje dikur jo vetëm që lejonte, por edhe luste njerëzit që të kopjonin komunikatat e saj.

Por, ka më shumë se një vit që ajo i ka fshirë ato (që datonin nga 2005 deri më 2014), dhe lëre që s’mund t’i kopjosh më, por as që mund t’i lexosh dot.

Fshirja e komunikatave kishte ndodhur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur medie të ndryshme vendore i publikuan disa prej tyre.

Mësohet që një kolegu gazetar asokohe rastësisht i kishte shkrepur në mendje të bënte një kërkim të thjeshtë në internet për të gjetur një qëndrim zyrtar të Vetëvendosjes për KFOR-in. Përveç që do ta gjente qëndrimin, ai do të shihte një grumbull komunikatash me gjuhë të papranueshme fyese për trupat e misionit paqeruajtës, pastaj për Joe Biden-in (tashmë, president amerikan), Ibrahim Rugovën, e shumë të tjera.

Pasi kjo gjetje aksidentale u përfol në rrjetet sociale në Internet, e madje edhe në shumë emisione televizive, disa analistë filluan të përflisnin edhe ndryshimin e qëndrimeve të partisë së Kurtit.

Kjo i kishte penguar aq shumë Lëvizjes Vetëvendosje, saqë dikush në parti kishte vendosur t’i fshinte nga sajti zyrtar, në atë që u cilësua si ‘fshirje e historisë’.

Në një emision debati me emrin “Debat Plus”, zëdhënësi i partisë së Kurtit kishte premtuar ripublikimin e komunikatave, duke e interpretuar fshirjen e tyre thjesht si “heqje”.

“Arlind Manxhuka më shkruan (lexonte z. Panduri, udhëheqës i debatit): Asnjë komunikatë s’është shlyer, ato janë shkrime autoriale dhe nuk kanë të bëjnë me qëndrimet e VV-së; ato janë hequr derisa t’u vendosen emrat e të gjithëve. Të gjitha komunikatat janë aty...”

Zgjedhjet, siç e dimë, erdhën e shkuan, por Vetëvendosje nuk arriti t’i ripublikonte komunikatat as me emra autorësh, e as pa emra autorësh individualë.

Gazeta Nacionale pyeti mu zëdhënës Manxhukën në lidhje me çështjen, por ai nuk u përgjigj në pyetjen tonë edhe pas insistimit të gazetarit.

Çka përmbante komunikata për KFOR-in?

Megjithëse për një pjesë të madhe duket se përmbajtjen nuk do ta dimë asnjëherë, disa prej tyre ishin zbardhur nga mediet.

Në komunikatën për KFOR-in, ndër tjerash, thuhet se ushtarët e KFOR-it ishin mercenarë dhe qëndrime të tjera të ulëta ndaj tyre.

Vetëvendosje, në komunikatën që nuk e rikthu më, shkruan se “prej përfundimit të luftës është zbehur relacioni me shoqërinë kosovare”.

“Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zmbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutrale, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.”, shkruante atëbotë VV-ja.

“Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve (të KFOR-it) është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit.”, thuhej më tej.

Vetëvendosjes po ashtu, KFOR-in e akuzonte për trazira etnike në vend, të cilat kishin lënë shumë persona të vrarë.

“Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar.”, shkruhet aty

“Prandaj, nuk është për t’u habitur pse shumica dërrmuese e shqiptarëve sot dëshiron t’u thotë shpëtimtarëve të dikurshëm: ju lumshin këmbët, e udha e mbarë.”, pretendonte VV-ja, edhe pse simpatia e shqiptarëve për KFOR-in është shumë e madhe.

Lëvizja Vetëvendosje e ka fshirë edhe komunikatën për ish-presidentin Ibrahim Rugova, të cilin e quante kolaboracionist.

Fshirjes nuk i shpëtoi as komunikata për presidentin amerikan Joe Biden, për vizitën e tij sa ishte zëvendëspresident i SHBA-së në Kosovë.

Në përmbajtjen e kësaj komunikate të titulluar “Biden e di mirë” e që i dedikohej një vizite në aeroportin e Prishtinës të këtij të fundit, ishte thënë se ai nuk kishte ardhur në Kosovë për t’ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës.

Përveç këtyre komunikatave, janë edhe plot të tjera që janë fshirë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa më poshtë po e sjellim komunikatën për KFOR-in.

KFOR-i, nga shpëtimtar në mercenary

Në qershor të vitit 1999, ushtarët e NATO-s u pritën si shpëtimtarë nga shumica shqiptare në Kosovë. Që ahere s’kanë kaluar as 10 vjet, por shumica e shqiptarëve sot parapëlqejnë që siguria e tyre të mbrohet nga ushtria e Kosovës së mëvetshme. Ky ndërrim i mendjes nuk varet nga strategjia vendore e mbrojtjes, meqë një e tillë nuk lejohet të ekzistojë, por duke qenë se aborti I gjithëmbarshëm i protektoratit është reflektuar edhe mbi KFOR-in. Në sytë e shqiptarëve, KFOR-i është gjithnjë e më pak garant i sigurisë, e gjithnjë e më shumë garant i zgjidhjeve të korruptuara të UNMIK-ut.

Dora në zemër, romanca mes KFOR-it dhe shqiptarëve s’ka qenë asnjëherë e thjeshtë. Ajo u nis me gjysmë zemre qysh në krye, kur vendet e NATO-s e dizajnuan fushatën ajrore kundër Serbisë me qëllim parësor zero (!) viktima nga radhët e veta – ndërsa shqiptarët pësuan 14 000 të vdekur, e 20 000 femra të dhunuara. Shqiptarëve u kujtohen ende freskët sabotimet franceze, italiane e greke, që e vonuan dhe kufizuan ndërhyrjen ajrore fillim e mbarim. Marrëdhëniet s’kishin si të lulëzojnë kur mu këtyre vendeve iu dhanë në besim zonat më të ndjeshme të Kosovës.

Që atëherë, ka ndodhur shumëçka që ta zbeh këtë relacion edhe më tej. Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.

Edhe organizimi i KFOR-it dëshmon qartë që është produkt evropian. Komanda e qe ndërzuar ekziston vetëm në letër, secili shtet i grah sipas interesit të vet. Ndonëse i është besuar një ndër rajonet më të ndjeshme të kontinentit, KFOR-i nuk ka as sot e kësaj dite një organ të përbashkët të inteligjencës. Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit.

Kthesa përfundimtare në relatat me KFOR-in ishte marsi i vitit 2004. Prej momentit kur dikush (kush? pse?) dha urdhër që të hapet zjarr veprues kundër civilëve të paarmatosur, mund të thuhet që KFOR-i ia ha paret priftit. Beogradi kishte këtu më shumë se dyfishin e KFOR-it, me përvojë e motivacion, e prapë s’ua ndali dot hovin e rebelimit shqiptarëve kur këtyre u vloi uji.

Është sinjifikative për vetkuptimin e KFOR-it dhe për dobësinë vendorëve që gjer sot nuk është hetuar asnjë nga 21 rastet fatale nga marsi i vitit 2004. Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar. Ish-kryeadministratori finlandez, Harri Holkeri, pat premtuar botërisht, në prill të vitit 2004, se do të ngriste hetime të pavarura për çdo rast të përveçëm. Në shtetet prej ku vijnë ushtarët e KFOR-it do të bëhej hataja sikur të vriteshin 21 qen nga ushtria, pale më njerëz me emër e mbiemër. Por edhe ky premtim I ndërkombëtarëve shkoi aty ku shkuan premtimet tjera – në kosh të plehrave.

Prandaj, nuk është për t’u habitur pse shumica dërrmuese e shqiptarëve sot dëshiron t’u thotë shpëtimtarëve të dikurshëm: ju lumshin këmbët, e udha e mbarë. Mjerisht për të dy palët, për ne e për ushtarët e KFORt, duket se mendjet e atyre që i kanë planuar “negociatat” në Vjenë punojnë në drejtim tjetër.

Kosovën në Vjenë e pret statusi I kolonisë, së cilës, me sa shihet, nuk do t’i lejohet as në të ardhmen të merr përgjegjësi për mbrojtjen e vet. Zgjidhjet të cilat përfliten kuloareve përfshijnë një Përfaqësues të Lartë (lexo: Cezar) nga bashkësia ndërkombëtare, me të drejtë të vetos ndaj çdo vendimi vendor. Si dhe një prani të vazhduar ushtarake me afat të hapur. Përse duhet të mbeten në Kosovë trupat e huaja, këtë e kupton sekush me dy fije mend në kokë. Jo për të na mbrojtur ne prej Beogradit. Po të ishte ky qëllimi, do të na mbronin përmes forcimit të ushtrisë së Kosovës. Qëllimi është, se Cezarit do t’i duhen legjionarë të besueshëm për t’ia ruajtur fronin. Në mendjen e planifikuesve neokolonial, është më e pranueshme që shpëtimtarët e dikurshëm të shndërrohen në mercenarë, se sa që shqiptarëve t’u njihet vetëvendosja.

Jetlir Buja & Shkëlqim Beqiri

Lajme të ngjashme