Kraki ankohet për sondazhe të hershme kundër Pecit, Kërquki ia kujton deklaratat për "VV-në 48-49%" në sondazhet e UBO-s
Anëtari i Partisë Guxo, Nezir Kraki, ka komentuar në emisionin Pressing rezultatin zgjedhor në Mitrovicë, duke e cilësuar procesin si të ndikuar rëndë nga, siç pretendon ai, një mobilizim i jashtëzakonshëm kundër kandidatit të tyre, Faton Peci.
Sipas Krakit, gjatë gjithë fushatës zgjedhore është zhvilluar një operacion i gjerë politik dhe mediatik që kishte për qëllim pengimin e Pecit për ta fituar komunën.
“Mobilizimi masiv që ka ndodhur kundër Faton Pecit për ta fituar Mitrovicën ka qenë i paparë. Janë marrë vetëm me Mitrovicën gati 30-40 ditë të fushatës – me sulme, me dosje fiktive, me akuza. Ka qenë një fushatë masive kundër tij”, deklaroi Kraki në "Pressing".
Sipas Krakit, kulmi i kësaj fushate u arrit ditën e zgjedhjeve, kur sipas tij, u publikua një sondazh i diskutueshëm vetëm pak minuta pasi u hapën qendrat e votimit.
“Ajo fushatë kulmoi me një sondazh që paralajmërohet pesë minuta pasi hapen qendrat e votimit në Mitrovicë – rezultat që publikohet disa orë para se të mbyllen votimet”, shtoi Kraki.
Por gazetari Leonard Kerquki iu kundërpërgjigj menjëherë, duke e vënë në pikëpyetje konsistencën e qëndrimit të Krakit për sondazhet.
“Një prej njerëzve – kom hy sot i kom kqyrë që ka fole për sondazhe të UBO-s për zgjedhjet parlamentare keni qenë edhe ju. UBO, gjatë tërë kohës e ka vendos diku 48-49 Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit pa votën e diasporës edhe krejt ju e keni proklamu si ‘ja, ja çfarë do të ndodhë’,” i tha Kerquki.