"Nevojitet progres i prekshëm në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur", Lajçak, Szunyog e Barbano me mesazh të përbashkët
Në një thirrje të përbashkët, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomas Szunyog dhe Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, theksuan nevojën urgjente për përparim të prekshëm në adresimin e gjendjes së rëndë të në zbardhjen e fatit të 1616 personave të zhdukur.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, përfaqësuesit theksojnë të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për të mësuar më të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre.
"Nevojitet progres i prekshëm në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur", - thuhet në mesazhin e përbashkët.
.@MiroslavLajcak, @EUAmbKS & @EulexHoM call for tangible progress in determining the fate of the 1,616 Missing Persons, who are still unaccounted for in #Kosovo.
— European Union in Kosovo (@EUKosovo) August 30, 2023
Read their joint message:https://t.co/1knIFluaO4
Në këtë kontekstin e miratimit të Deklaratës së Përbashkët për Personat e Zhdukur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023, emisari Lajçak theksoi se nevojitet "shumë punë" për zbatimin e plotë të angazhimeve.
“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur u miratua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023. Duhet bërë shumë punë nga Kosova dhe Serbia për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e p ersonat të pagjeturve dhe për të forcuar bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit dhe ekzekutimin e gërmimeve”, tha Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Ai shtoi se Deklarata synon të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për të lehtësuar bashkëpunimin e palëve për personat e zhdukur.
Në njoftimin e Zyrës së BE-së po ashtu thuhet se Lajçcak parashikon krijimin e një "Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK."
Në anën tjetër, Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, ka thënë se për këtë çështje të ndjeshme nevojitet ndërgjegjësimi i qytetarëve.
Ai përmendi një projekt të financuar nga BE-ja, i zbatuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, së bashku me Kosovo 2.0, përmes të cilit janë fokusuar sfidat e gjetjes së personave të zhdukur.
“Për të vënë anëtarët e familjes në ballë të këtij diskutimi dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje të ndjeshme, BE-ja financoi një projekt të suksesshëm të zbatuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, së bashku me Kosovo 2.0, i cili gjithashtu rezultoi në një raport të disponueshëm publikisht, i fokusuar në sfidat në gjetjen e personave të zhdukur. Përveç kësaj, BE-ja ka ofruar edhe një sërë kursesh trajnimi që synojnë ngritjen e kapaciteteve të stafit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, një institucion kyç në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe ka prokuruar pajisjet e nevojshme për funksionimin e tij.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, Giovanni Pietro Barbano, Shefi i EULEX-it, theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet ekspertëve të misionit dhe homologëve të tyre kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar fatin e personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla të ndryshme.
“Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it e deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, përfshirë 339 persona të zhdukur. Ne mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t'u dhënë përgjigje familjeve të Personave të Zhdukur.”