Më pak se 1 muaj nga zgjedhjet, nesër hapet zyrtarisht fushata zgjedhore
Ka mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, e për këtë tashmë partitë në vend kanë filluar fushatën e tyre, e cila pritet që nga nesër, më datë 11 janar të hapet edhe zyrtarisht.
Nga nesër, ditë e shtunë, në Kosovë hapet zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet nacionale, ku partitë në vend do të garojnë me programet e tyre për të fituar zgjedhjet.
Nga të gjitha partitë, Partia Demokratike e Kosovës është e para e cila do të bëjë hapjen e fushatës zgjedhore.
PDK fushatën e saj do ta hapë në Prishtinë në sallën “1 Tetori” nga ora 16:30, ku edhe do të bëhet prezantimi i 110 kandidatëve të kësaj partie.
Kjo parti garon në këto zgjedhje ma kandidatin Bedri Hamza dhe me sloganin “Kosova mundet më mirë”.
Partia e dytë e cila do të bëjë hapjen e fushatës zgjedhore nesër, është Lidhja Demokratike e Kosovës.
LDK nëse nga ora 17:00, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me sloganin “Bëhu ndryshimi”.
Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, do të bëjë prezantimin e 110 kandidatëve për deputet.
Në të njëjtën ditë fushatën do ta hap edhe Koalicioni AAK-Nisma.
Nacionale ka mësuar se udhëheqësit e këtij koalicion fushatën do ta hapin në Prekaz, duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Ndërsa, tubimin kryesor për hapjen e fushatës ky koalicion do ta mbajë më 12 tetor në sallën “1 Tetori”, i cili do të fillojë nga ora 14:00.
Slogani i AAK-së është “Për Kosovën fituese”.
E partia e cila tashmë udhëheq vendin, Lëvizja Vetëvendosje, hapjen e fushatës zgjedhore do ta bëjë në qytetin e Gjakovës.
VV-ja këtë tubim do ta mbajë në sallën “Shani Nushi”, me sloganin “Cep më cep”, me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, nga ora 18:00.
“Nesër, më 11 janar, e shtunë, në Sallën "Shani Nushi" në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00, hapim fushatën zgjedhore, fushatën e 500 mijë zemrave që rrahin si një. Kjo është fushata e fitores që kulmon më 9 shkurt 2025.” – thuhet në njoftimin e VV-së.
Të gjitha zhvillimet nga fushata do të mund t’i ndiqni në Nacionale, në kategorinë ZGJEDHJET 2025.