Në veri nis peticioni për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës - NACIONALE

Në veri nis peticioni për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Levizja serbe Lëviz-Ndrysho ka nisur një peticion për tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga veriu, si dhe zhvendosjen e bazave, përkatësisht për siç kanë thënë ata edhe çmilitarizimin e veriut të Kosovës.

Sipas Kossev, duke theksuar se në mes përfaqësuesve të NATO-s, serbëve dhe shqiptarëve është rënë dakord që në veri të mos ketë forca të sigurisë së Kosovës, por vetëm forca policore, ata kanë shtuar se KFOR-i kujdeset për sigurinë dhe se sipas Kushtetutës së Kosovës, prania e policisë duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të zonës në të cilën vepron.

Më tej sipas mediumit serb, në peticionin e tyre thuhet se gjatë vitit të kaluar pesë baza të njësive speciale të Kosovës janë ngritur në veri në një lloj vakumi sigurie, duke e cilësuar një gjë të tillë të panevojshme, pasi është e frikshme për popullatën vendase dhe kontribuon në ngritjen e tensioneve.

Bëhet e ditur se peticioni i drejtohet kryeministres serbe Ana Brnabiq, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti si dhe ndërmjetësuesit evropian Miroslav Lajçak.

Peticioni është nisur nga ekipet e Lëviz - Ndrysho në Mitrovicë dhe Zveçan, ndërsa është bërë e ditur se nuk do të publikohen emrat e nënshkruesve për arsye sigurie.

Lajme të ngjashme