Në të vërtetë: Pse Albulena Haxhiu po shkon në Hagë për takim me Thaçin & co.?
Për herën e dytë brenda pak muajve, Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë një vizitë në Qendrën e Paraburgimit të Hagës, atje ku po gjykohen për krime lufte ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, cili është efekti dhe rëndësia e këtyre vizitave?
Në shtatorin e vitit 2019 një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë udhëtoi drejt Hagës. Megjithatë, atje nuk u pritën nga të gjithë të akuzuarit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Nasim Haradinaj, nuk pranuan ta takojnë ekipin e MD-së që kishte udhëtuar nga Prishtina.
Kur kanë mbetur pak ditë kur një delegacion i ngjashëm do të udhëtojë drejt Hagës, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka pranuar se ka dilema nëse ish-presidenti Thaçi e ish-kryeparlamentari Veseli do ta pranojnë në takim. “Herën e parë ata nuk e pranuan ekipin e MD-së në takim, por neve na bashkon lufta çlirimtare e UÇK-së. Dallimet e pasluftës nuk janë tash temë”, kishte thënë Haxhiu në konferencë për media.
Por, cila është rëndësia e vizitës së Haxhiut?
Në aspektin juridik, efekti është 0. Këtë nuk e thotë gazeta Nacionale, por ligji mbi të cilin funksionojnë Dhomat e Specializuara të Hagës. Kjo u dëshmua edhe në vizitën e parë që delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë kishte pasur në Hagë. Pas vizitës, Ministria doli me një komunikatë për media duke renditur ankesat e të akuzuarve, por thuajse asgjë nuk është bërë në atë drejtim, përkundër se kanë kaluar disa muaj.
“Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Madje, kryeministri Albin Kurti, ditë më parë tha në televizionin publik se nuk i di mendimet e të akuzuarve për të. "Unë shumë prej tyre i kam pasur kundërshtarë politikë – nuk e di çka mendojnë ata për mua – por ky paraburgim është i dëmshëm!”.
Madje, edhe këtë herë vizita e delegacionit të MD-së do të njihet nga Qendra e Paraburgimit në Hagë si vizitë personale, ose familjare. Kështu ka lënë të nënkuptohet vetë Gjykata Speciale në një përgjigje për gazetën Nacionale.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat e të paraburgosurve. Si çështje e përgjithshme, Udhëzimi mbi Vizitat dhe Komunikimet bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe vizitave speciale. Vizitat speciale përfshijnë ato nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e një gjyqtari, Sekretarit ose anëtarëve të stafit që veprojnë në emër të tyre. Të gjitha vizitat e tjera trajtohen si vizita personale”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.
Nuk dihet nëse ministrja Haxhiu do të ketë takime edhe me kryetaren e Gjykatës Speciale, dhe me përfaqësues e tjerë të këtij institucioni gjyqësor. Por, ajo që dihet është se ajo për në Hagë do të udhëtojë bashkë me kryetarin e komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi dhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.
A do ta takojnë Thaçi e Veseli ministren Haxhiu?
Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë zyrtarisht me të gjitha ekipet mbrojtëse dhe familjarët e të akuzuarve në Hagë, nëse krerët e UÇK-së do ta pranojnë në takim ministren Haxhiu. Por, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pranuar të komentojnë.
Megjithatë, një burim i afërt nga këto zhvillime ka treguar për Nacionalen, se kjo varet nga zhvillimet që ndërlidhen me procesin gjyqësor në Hagë. Nëse ka takime me ekipet mbrojtëse, atëherë takimi me delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë mund të bëhet i pamundur.
“Fillimisht duhet të bëhet kërkesa. I paraburgosuri me vullnetin e tij vendos. Por, ata kanë punë me avokatë. Nëse avokatët vijnë nga Amerikë e kanë seanca konsultative me mbrojtës, atëherë është e vështirë”, ka thënë ky burim për Nacionalen në kushte anonimiteti.
Konfirmim nuk dha as Bekim Çollaku, ish-shef i kabinetit të Thaçit. Në televizionin publik ai e vlerësoi si të duhur viziten e Haxhiut, megjithatë tha se nuk e di nëse Thaçi do ta takojë. “Është e drejtë e të akuzuarve dhe nuk mund të paragjykojë se cili do të jetë vendimi i të akuzuarve. Mirëpo vizita në Hagë është dëshmi e jashtëzakonshme dhe pozitive në nivel të ngritjes së maturisë dhe përkujdesjes institucionale”, tha Çollaku.
Pse nuk i takuan herën e parë?
Nasim Haradinaj gjatë seancave gjyqësore që u zhvilluan në Hagë, kishte thënë një sqarim pse nuk e priti në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë.
“Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që është bërë këtu, kam qenë i pari që e kam refuzu e nuk jam takuar me ata, më ka ardhur si kërkesë familjare. Kurse vizita e avokatit të popullit të juaj, më është caktuar si zyrtare”, kishte thënë Haradinaj.
Përderisa Nasim Haradinaj refuzimin e bazoi në përcaktimin e vizitës dhe marrjen e minutave nga vizitat familjare, për ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, arsyet zyrtarisht nuk dihen. E në anën tjetër, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte dhënë një rrëfim për këtë çështje.
Thaçi i kishte dhënë një qëndrim për këtë çështje, gazetarit nga Shqipëria Mero Baze, gjatë një vizite të këtij të fundit në Hagë. Baze në një shkrim të gjatë ku e kishte përshkruar këtë vizitë të Thaçit, kishte treguar se çfarë i kishte thënë ish-presidenti për refuzimin e delegacionit të Ministrisë së Drejtësisë.
“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, thuhej në shkrimin e Bazes.
Rivaliteti politikë në Kosovë e akuzat të bëra edhe publikisht në Kuvendin e Kosovës nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, po del se ende nuk po harrohen nga të akuzuarit në Hagë.