Në shitore, në ndejën e ambasadës: Prindoni nuk i “shqitet” Osmanit në paraqitjet e fundit publike
Përveç diplomat, Prindon Sadriu është zotëria i parë i Kosovës, funksion që e fitoi për shkak se është bashkëshort i Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës. Në këtë cilësi, me shumë gjasë, Sadriu mori pjesë në dy paraqitjet e fundit të Osmanit, që nuk ishin “takime zyrtare” me krerë shtetesh.
Osmani tri ditë më parë e vizitoi Gjilanin, vendlindjen e bashkëshortit të saj, Prindonit. Nuk dihet nëse e ka vizituar shtëpinë. Megjithatë, Osmani e Sadriu vizituan një “shtëpi të madhe” tregare. Më saktë, dyshja presidenciale qëndruan në “Albi Mall” në Gjilan, qendër e njohur tregtare në Anamoravë.
Në vizitën në këtë qendër tregtare, afër Osmanit, përveç truprojave e zyrtarëve të tjerë të Presidencës së Kosovës, u pa edhe Prindoni. Osmani shpërndau disa fotografi nga kjo vizitë në Gjilan, përfshirë disa në të cilat ishte edhe Prindoni, vendin e prejardhjes së të cilit (Presheva) e përmendi në postim.
“Rritja ekonomike, punësimi dhe fuqizimi i prodhimit vendor janë çelës i suksesit për prosperitetin e familjeve dhe shtetit tonë.
Albi Mall në Gjilan, biznes familjar, i cili përfaqëson frymën sipërmarrëse të popullit dhe shtetit tonë, ka krijuar 500 vende të reja pune vetëm në Gjilan e mbi 1700 vende të reja në mënyrë indirekte nëpërmjet bashkëpunimit me biznese të tjera e prodhues vendor.
Duke ndërtuar lidhje të forta ekonomike me qytetarët nga Lugina e Preshevës, biznese si Albi Group po i hapin rrugë bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët” – shkroi Osmani.
Përveç vizitës në Gjilan, zotëria i parë u pa në krah të Osmanit edhe në ndejën e mbrëmshme për nder të përfundimit të mandatit të ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott. Ndonëse ende nuk kanë postuar ndonjë fotografi në profilet e tyre, dyshja Osmani e Sadriu u panë bashkë në fotografitë e publikuara nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Bashkëshorti i Osmanit, pra Prindon Sadriu, i qëndroi afër shefes së shtetit edhe gjatë kohës së homazheve para statujës së Ibrahim Rugovës, ish-president i Kosovës, në 18-vjetorin e ikjes në amshim të tij.
Përveç pranisë fizike, Sadriu natyrisht i jep shumë përkrahje presidentes edhe në botën virtuale. Zotëria i parë vazhdimisht shpërndan fotografi e postime të Osmanit, por nganjëherë shkruan edhe shkrime origjinale.
Për shembull, Sadriu shkroi një status në lidhje me armatosjen e Policisë së Kosovës me armë të gjata nga një kompani kroate. Më saktë, ai shpërndau një status e fotografi të Osmanit, duke lënë të nënkuptohej se meritat për këtë armatosje të policisë i takojnë Komandantes Supreme të FSK-së.
“👉🏻 Tetor 2023: Vizita e Presidentes në kompaninë ‘HS Produkt’ në Karlovac të Kroacisë.
👉🏻 Sot, të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës pajisen me armë të gjata nga kompania ‘HS Produkt’.” – shkroi ai.