Në prag të Bajramit: Policë, ushtarë e infermierë mbesin pa shtesa
Policët, ushtarët dhe infermierët raportohet se kanë mbetur pa pagesat e orëve shtesë, në prag të siç është thënë edhe nga vetë ata, Festës së Bajramit.
Në mbrëmjen e së premtes, Sindikata e Policisë së Kosovës ka dalë me një komunikatë për media, ku ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.
Sipas sindikatës, pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së punonjësve të policisë, ata ende nuk kanë marrë pagën e plotë për punën e kryer.
“Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.” - thuhet në reagim.
Ndërkohë, Nacionale nga burime të saj ka mësuar se shtesat nuk i kanë marrë as ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo, është konfirmuar nga tri burime të mediumit.
Po ashtu, ka pasur raportime se shtesat nuk u janë paguar as infermierëve.