Në Pediatrinë e QKUK-së është një aparaturë që mjekët s’dinë ta përdorin
Në Klinikën e Pediatrisë së QKUK-së që pesë vite ekziston aparatura e bronskopit. Mirëpo e njëjta as edhe për një minutë të vetëm nuk është vënë në funksion. E po të ishte në funksion, shumë jetë fëmijësh do të shpëtoheshin, rrjedhimisht sëmundjet e tyre do të diagnostikoheshin ndoshta në faza shumë të hershme.
Pra aparatura për të cilën po flasim, Bronkoskopi ndihmon mjekët që të diagnostikojnë sëmundje të ndryshme të mushkërive – nga infeksionet deri te tumoret.
Nga QKUK-ja për REL-in theksojnë se kjo aparaturë nuk është duke u përdorur për shkak të mungesës së mjekëve që dinë të operojnë me të.
“Klinika e Pediatrisë posedon aparatin bronkoskop për nevoja të repartit të pulmologjisë. Një doktoreshë e këtij reparti është duke u trajnuar në Klinikën e Pulmologjisë, derisa të mund të punojë në mënyrë të pavarur”, thuhet në shpjegimin e QKUK-së.
Sipas disave, mospërdorimi i bronkoskopit në Pediatri nuk shkakton ndonjë dëm.
Drita Telaku-Qosaj, pediatre në repartin e pulmologjisë së kësaj klinike, thotë se ka metoda të tjera për ekzaminim dhe diagnostikim, që e zëvendësojnë bronkoskopin.
“Ky aparat ndihmon, por, fatmirësisht, malinjitete nuk kemi [ose] kemi tepër rrallë dhe ka procedura të tjera diagnostikuese. Është CT-ja dhe të tjera, nuk është vetëm bronkoskopia”, thotë Telaku-Qosaj.