Në opozitë, VV-ja i luftonte eksponentët e UDB-së, tani po i shpërblen me pozita të larta shtetërore - NACIONALE

Në opozitë, VV-ja i luftonte eksponentët e UDB-së, tani po i shpërblen me pozita të larta shtetërore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e VV-së sa ishin në opozitë ishin fort kritik ndaj eksponentëve të UDB-së. Madje, ata edhe i akuzonin qeveritë e kaluar se po i akomodonin të tillët në sistem. Por, krejt ndryshe po vepron kjo parti pas ardhjes në pushtet.

Caktimi i Enver Krasniqit si ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Sekuestrim dhe Konfiskim të Pasurisë, Enver Krasniqi, ka nxitur reagime të shumta, raporton gazeta Nacionale.

Për këtë emërim po kritikohet edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndonëse ai i ka mohuar këto pretendime, Krasniqi po konsiderohet eksponent i UDB-së, i cili ka marrë pjesë në burgosjen e patriotëve shqiptarë duke përfshirë edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

I pari që ka reaguar për këtë rast ka qenë gazetari Vehbi Kajtazi.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kajtazi ka shkruar se Krasniqi ka qenë shef i UDB-së në Klinë.

“Enver Krasniqi, i perzgjedhuri i Albulena Haxhiut per ud drejtor te Agjencise per Sekuestrim dhe Konfiskim te Pasurise se paligjshme, i cili ka qene shef i UDB-se ne Kline, ka burgosur dhe torturuar patriotin Kole Berisha. Berisha, ka qene zevendes i Ibrahim Rugoves, ne emrin e te cilit thirret presidentja Vjosa Osmani, e cila kryen sherbime politike per Albin Kurtin”, ka shkruar Kajtazi.

Reagim të ashpër ka bërë edhe Visar Berisha, djali i Kolë Berishës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar në detaje se si Krasniqi e kishte torturuar babanë e tij në vitin 1989.

“Ka qenë mëngjesi i 28 marsit 1989, e Martja e Pashkeve. Kati i IV, dera 7. Njana prej ditëve ma të ankthshme për mue. Baba u que shpejt dhe e hapi derën. Dy punëtore të sigurimit të shtetit dhe pas tyne dy policë e kishin nxanë derën. Baba u vesh, e lidhen. Prej ballkonit e pashë që e futen rrmysht në Zastave. Në dhomën e Stacionit policor, sigurmici shiptar, Enveri, që e kishte burgosë, e kishte lidhur me "lisica" për shtylle. Pastaj Peja, Leskovci, Beogradi e prapë Peja. Teshat që vini te ndryshkuna prej gjakut. Shumë prej tyne i kishin pranu ndryshimet kushtetuese dhe po i zbatonin ato me forcë. Shiptarë. Asi që besonin se Serbia ishte shteti i tyne", ka shkruar ai.

Më tej, ai ka treguar se Krasniqi ishte favorizuar më herët edhe nga disa ministra të LDK-së.

“Me thanë se ky sigurimci i djeshem qenka favorizue nga se paku dy ish-ministra te LDK-së gjatë ketyne viteve. Qe kjo qe ka ba znj. Haxhiu asht vec pasoje... Dorën në zemër, krejt kjo maskaradë e turpnon shtetin e Kosovës, Kosovën, nuk me ligë mue e aq më pak babën Kolë. Baba, sa ka qenë gjallë këtë sigurimcin e ka falë, shpirtnish, si njeri. Ka qenë në paqe me veten. Por baba, e le ma unë, suj e mbrojmë ma vendin prej të vetëve që e mohojnë çdo ditë”, ka shkruar Berisha.

Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës, ishte nder zyrtarët më të zëshëm të VV-së ndaj njerëzve të UDB-së në Kosovë.

Në vitin 2020, në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruar një status të ashpër ndaj këtyre njerëzve.

Ai kishte cituar prindin e tij, Ali Aliu, cili kishte thënë se Kosova nuk do të përparonte derisa të luftoheshin “spiunet e UDB-së”.

“Meqenëse pas statusit tim u përfol shumë edhe babai im Ali Aliu Kelmendi më duhet të them porosinë e tij, që la muajve të fundit të jetës së tij: Vendi ynë do ta shohë përparimin kur të luftohen dhe shkatërrohen spiunët e UDB-së dhe profiterët e luftës.”, kishte shkruar Aliu.

Qeveria po rrezikon ekzistencën e shtetit

Reagime ka pasur edhe nga partitë opozitare. Sipas tyre, duke emëruar njerëz të tillë në pozita kyçe mund të rrezikohet edhe ekzistenca e shtetit.

Zyrtari i LDK-së, Anton Berisha, ia ka rikujtuar VV-së parullat kombëtare që i kishte dikur.

“Qeveria që erdhi në pushtet me parullën e bashkimit kombëtar, në njëren anë, në kryeqytetin e Evropës ka përzgjedhur ambasador me histori të UDB-ës, (shërbimi famëkeq jugosllav i njohur për veprimtarinë antishqiptare), në tjetrën anë në kryeqytetin tonë përzgjedh drejtor të Agjencise për Sekuestrim dhe Konfiskim të Pasurisë, njeriun e UDB-së, i njohur për burgosjen e patriotëve shqiptarë duke përfshirë edhe ish nënkryetarin e LDK-së dhe kryetar i Kuvendit, Kolë Berisha”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebok”, duke shtuar se Qeveria Kurti ka humbur legjitimitetin etik.

“Kjo qeveri jo vetëm që ka humbur çdo legjitimitet etik, por me veprimet e saj ajo është duke rrezikuar bërthamën kombëtare deri në ekzistencën e shtetit.”, ka shkruar ai.

Edhe më i ashpër ka qenë zyrtari i Nismës, Zafir Berisha.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se pse pushteti i VV-së po i mban afër këta njerëz.

“Nuk është për me u befasu pse Albulena Haxhiu i mban afër UDB-shat! Regjimi aktual ka ardhur në pushtet me financat e Serbisë (Martin-GenSerbia) dhe mbetjet e tyre si krye-udbashi nga Klina. Udbashi Enver Krasniqi nga Klina, është njëri nga mbetjet serbe që kundërmon në institucionet e Kosovës, që nga kabineti i Albinit, nëpër ministri, agjensi të pavarura, e deri te shërbimi korrektues, ku mbeturinat e UDB-së po bëjn spastrime si në kohën e Millosheviqit të ish luftëtarve të UÇK-së, veprimtar politik (Ylber Topalli etj) dhe atyre që nuk mendojn si regjimi aktual. Kadria ka ditur diçka kur ka thën në Kuvend të Kosovës: Albini ka me kthy Serbin në Kosovë”, ka shkruar Berisha.

Krasniqi mohon akuzat

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Agjencisë për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme, Enver Krasniqi, ka reaguar ndaj akuzave që i janë bërë.

Në një reagim për gazetën Nacionale, ai ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me siç ka thënë ai "shtrembërimin e të vërtetave dhe fyerjen e njerëzve, qofshin ata kushdo."

Krasniqi ka konfirmuar se në periudhën nga shtatori i vitit 1987 deri më 1 shtator 1990 ka punuar në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme në SHSSH në Pejë, paralelja Klinën. Megjithatë, ai deklaron se nuk kishte njohuri të mjaftueshme lidhur me natyrën e punës së kryer atje.

"Sa për informim nga 158 police te arrestuar ne Kosove ne vitin 1994 dhe te gjykuar ne 4 procese gjyqësore 18 veta janë dënuar me 5 apo ma shume vite dhe janë mbajtur ne burg ne mesin e tyre edhe unë edhe pse kisha me se paku përvojë. Nuk me takon mua te flas për qëndrimin dhe sjelljen time gjate hetimeve dhe vuajtjes ne burg sepse këtë mund ta dëshmojnë te burgosurit politik te LPK, LKQK, Balit Kombëtar, Ministrisë se Mbrojtjes, Grupi i Mentor Kaqit e tjerë nga te cilët sot ka deputet te parlamentit dhe zyrtar te lart politik. Nga te gjithë do ta veçoja te Profesorin Ukshin Hoti me te cilin kemi pas raporte shume te mira dhe te sinqerta te cilat deri ne largimin tim nga Kosova i kam mbajtur përmes motrës se tij dhe bashkëshortit te saj gjate vizitave ne shtëpinë e tyre ne Kodrën e Diellit." është thënë mes tjerash në reagimin e tij.

Lajme të ngjashme