"Diaspora e VV-së" në Zvicër proteston kundër Asociacionit, “harron” nenin 10 të propozimit evropian
Pas asaj në Bungestag të Gjermanisë, një tjetër protestë me thirrje kundër Asociaiconit është mbajtur në Gjenevë. Këtë herë kjo ndodhi vetëm ditë pasi kryeministri Kurti pranoi de fakto Asociacionin në kuadër të pranimit të propozimit evropian (franko-gjerman). Shqiptarët e diasporës protestuan sot para selisë së OKB-së në Gjenevë kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Protesta e tyre u drejtua edhe kundër BE-së, për të cilën tha se po i bën presion Kosovës për ta themeluar këtë mekanizëm.
“Ne nuk duam një ndarje në Kosovë”, "Bern, thuaj "jo" autokratëve. Vuçiq = Putin” – ishin disa nga pankartat që qindra shqiptarë të Kosovës mbanin teksa protestonin kundër propozimit evropian që kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë të shtunën në “Place des Nations” në Gjenevë.
Ashtu si në protestën e Bundestagut, edhe kjo në Gjenevë duket se është ftuar nga mbështetësit e kryeministrit Kurti, i cili të hënën më 27 shkurt shpreu gatishmërinë për të nënshkruar propozimin evropian, i cili kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova aktualisht është nën presion shumë të fortë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, e cila parashikon në veçanti krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe të Kosovës. Një marrëveshje e tillë nuk mund të lidhet në kurriz të sovranitetit të Kosovës” – ka thënë ka thënë për “Le Temps”, Reis Luzhnica, përfaqësues i zgjedhur në parlamentin e Cyrihut dhe mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Deklartatat e zotit Luzhnica vijnë në një kohë kur kryeministri i partisë që ai e përkrah pranoi verbalisht dhe shprehu gatishmërinë e tij për të nënshkruar një propozim që do të siguronte një nivel të vetë-manxhimit për komunitetin serb në Kosovë në disa fusha. Kjo propozim gjithashtu përfshin mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.” – thuhet mes tjerash në nenin 7 të propozimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë se një protestë e çuditshme kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndodhi edhe në Kosovë ku numër relativisht i vogël njerëzish morën pjesë në protestën e thirrur nga përkrahësi i pushtetit, Sadri Ramabaja.
“Në emerë të popllit shçiptar kundër Asosacionit me shumic serbe.” – thuhej në një parullë të një qytetari me një mal gabimesh drejtshkrimore.
Protesta e thirrur e Ramabajës rezultoi absurde në llojin e vet, pasi ai mbështeti propozimin europian, i cili doli të jetë çelës i derës "Asociacion i komunave me shumicë serbe".
Ai kishte thënë se plani franko-gjerman (propozimi evropian) e shmangu përplasjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pra përplasjen ushtarake.
“Plani frënko-gjerman, i përvetësuar tashmë nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-të, ka shmangur përplasjen ushtarake të projektuar nga Beogradi në përmbushje të agjendës ruse për shpërthimin e frontit të dytë në Europë, por po ligjëron, de fakto, konfliktin e ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë përgjatë kësaj dekade në vijim.” – kishte thënë ai.

