“Në Belgjikë nuk fabrikohen provat” – Pjetër Shala jep fjalën hyrëse në Gjykatën Speciale
Ka përfunduar fjala hyrëse e mbrojtjes në rastin ku Pjetër Shala po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Shala ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka krahasuar Gjykatën Speciale me institucionet e drejtësisë në Belgjikë.
“Unë jetoj që 25 vjet apo shkurt thënë gjysmë shekulli në Belgjikë, shtet demokratik, detyra e prokurorit aty ku jetoj unë është hulumtoj, zbuloj paraqes provat dhe kërkoj drejtësi, në asnjë mënyrë t’i sajoj, t’i fabrikoj, në asnjë mënyrë. Madje aty ku jetoj unë është vepër penale, është e dënueshme”, tha Shala.
“Unë kam qenë një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit tim dhe popullit tim, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Shala.
Sa i takon Dhomave të Specializuara, ai tha se nuk dëshiron të fyejë dhe shtoi se nuk e ka përkrahur asnjëherë.
“Mirëpo, deshi fati të jem këtu para jush dhe nëse këtu me të vërtetë ka vetëm pak drejtësi, shpresoj që atë drejtësi do të ma jepni të më shpallni të pafajshëm”, tha Shala.