Ndodh edhe kjo në Kosovë: Kryetarja e gjykatës së tenderëve bëhet notere
Kur mendon se në Kosovë i ke dëgjuar të gjitha, del diçka tjetër e re.
Zhvillimi i fundit ndërlidhet me një konkurs për noterë, që ndër vite në Kosovë ka nxitur reagime të shumta.
Tashmë, Ministria e Drejtësisë ka publikuar emrat e të gjithë kandidatëve të cilët kanë kaluar testimet dhe janë bërë noterë.
Në mesin e tyre, besoni ose jo, është edhe kryetarja e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit apo siç njihet Gjykatës së Tenderëve, Vjosa Gradinaj – Mexhuani.
Në vendimin e publikuar të cilin e ka parë Nacionale, thuhet se Gradinaj-Mexhuani emërohet në detyrën e noterit për territorin e Ferizajt.
Vendimi mban firmën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është një nga institucionet më të rëndësishme në fushën e tenderëve, dhe vlerësimit të dhënies së tyre nga kompanitë e pakënaqura të cilat bëjnë ankesë.
Ajo ishte votuar me shumicë votash nga partia në pushtet, Vetëvendosje, si kryetare e OSH-së më 23.06.2022. Pra, tash e më shumë se dy vjet është në atë pozitë.
Gradinaj-Mexhuani u zgjodh në këtë pozitë pas një kohe të gjatë që OSHP-ja kishte mbetur pa bord, e në anën tjetër pushteti duket se i filtronte emrat.
Tash mbetet të shihet nëse kryetarja e Bordit do të arrijë t’i ushtrojë të dy funksionet, apo do ta zgjedh njërin.
Fjalë të mëdha për konkursin për noterë kishte pasur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo procesin e kishte vlerësuar si prej më profesionale ndonjëherë.
“100 noterë të rinj iu shtuan vendit tonë me ç'rast sot kam nënshkruar edhe vendimet për emërimin e tyre, ndërsa për shkak të mosplotësimit të kushteve emërimi i 6 kandidatëve të tjerë për noter është refuzuar. Vendimet do të publikohen të hënën në webfaqen e Ministrisë së Drejtësisë. Për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën, ky proces i Provimit të Noterisë ka qenë ndër proceset më transparente e profesionale të organizuara ndonjëherë. Me përzgjedhjen e 100 noterëve të rinj kemi dëshmuar që edhe mund t’i përmbushim nevojat e qytetarëve por edhe meritokracinë. Falenderoj Komisionin për Provimin e Noterisë, Komisionin për përzgjedhjen e noterëve dhe stafin mbështetës të Ministrisë për punën dhe angazhimin e tyre profesional”, kishte shkruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në të kaluarën, kishte pasur shumë kritika për konkursin për noterë kur ministër ishte Abelard Tahiri.
Haxhiu me të ardhur në pushtet e kishte anuluar procesin, megjithatë ministrja e Drejtësisë më pas e humbi betejën në Gjykatë.