Ndërpritet seanca ndaj Enver Sekiraqës, akuzohet për vrasjen e Triumf Rizës
Sor në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, pasi që dëshmitari Arben Berisha ka kërkuar edhe avokat.
Para se të fillonte dëgjimi i tij si dëshmitar në “rastin Sekiraqa”, ai kishte kërkuar që gjatë marrjës në pyetje të ketë në prani edhe avokatin e tij.
Kjo kërkesë e dëshmitarit, Arben Berishës nuk u kundërshtua nga mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi.
“Sa i përket kërkesës së dëshmitarit, pavarësisht se paksa na zuri në befasi, megjithatë është e drejtë e tij ligjore që ta ketë prezent mbrojtësin e tij edhe pse këtu është në cilësi të dëshmitarit”, ka deklaruar avokatja Kelmendi.
Gjithashtu, një gjë e tillë nuk u kundërshtua as nga prokurori special, Haki Gecaj.
“Është e drejtë e tij ligjore”, ka thënë Gecaj.
Gjithashtu, kërkesa e dëshmitarit Berisha nuk u kundërshtua as nga i dëmtuari Shefqet Riza.
Ndryshe, dëshmitari Berisha ka thënë se gjatë dhënies së deklaratave të mëparshme lidhur me këtë rast e ka pasur avokatin, Ramiz Krasniqi.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, tha se nga trupi gjykues aprovohet propozimi i dëshmitarit Berisha që gjatë marrjes së tij në pyetje, të jetë i pranishëm edhe avokati Krasniqi.
Andaj, seanca është ndërprerë dhe pritet të vazhdojë.
Kujtojmë, se në seancën e 27 tetorit të vitit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Zanfina dhe Ema Ismailit. Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqen për nxitje në vrasjen e ish-policit kosovar Triumf Rizës, e me këtë gjykata i kishte shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 30 vitesh. Ndërsa, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur që t’a aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer këtë rastë për herë të dytë në rigjykim.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi. Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që iu ishte caktuar nga gjykata.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, ku ai kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri, por si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.
Përditësim: Edhe pasi dëshmitarit Arben Berisha i është siguruar avokati, me kërkesë të të njëjtit është shtyrë gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.


