Ndahet shapi prej sheqeri: Çka po paralajmëron kryevetarani Gucati për të dytën herë? - NACIONALE

Ndahet shapi prej sheqeri: Çka po paralajmëron kryevetarani Gucati për të dytën herë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Organizata e Veteranëve të Luftës, në një konferencë për media dje kërkoi shkarkimin e kryeparlamentarit Dimal Basha, pas publikimit të një hulumtimi ku ai është bashkautor me një maqedonase dhe ku UÇK cilësohet si organizatë e lidhur me krimin dhe ‘trafikun e drogës’.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se ‘në rast të mos-shkarkimi të Dimal Bashës, do të ndërrmerren veprime” nga kjo Organizatë.

Dimal Basha thotë se në vitet e 90-ta UÇK është financuar nga dilerët e drogës. Më vjen turp për deputetët tonë, pavarësisht të cilës parti janë që e kanë votuar Dimal Bashën për kryetar të Parlamentit” – tha Gucati në konferencën e djeshme për media.

Ai tha se ‘kanë informacione se ka figura të tjera në Vetëvendosje që janë dëshmitarë në Speciale’ dhe se siç tha Gucati, këta ‘emra do të bëhen publik’.

Kjo po të lë të kuptosh, besoj që ju edhe si media e dini, që disa eksponentë të VV-së që janë, kanë deponuar dokumente në Gjykatën Speciale në Hagë.

Donika Gërvalla gjithqysh, por kemi edhe këshilltarë të ministrave. Do të dalim shumë shpejt me emra. Kemi edhe këshilltarë që kanë qenë dëshmitarë në Gjykatën Speciale.

Nuk kemi frikë më nga askush, do ta ndajmë shapin nga sheqeri përgjithmonë. Do ta dimë kush e do këtë vend dhe kush nuk e do” – deklaroi Gucati.

Deklaratën e njëjtë, z.Gucati e përsëriti edhe sot, në një lidhje të drejtpërdrejtë në një prej emisioneve të mëngjesit në Klan Kosova, duke thënë se ‘për çështjen e Dimal Bashës’ do të ndërmarrin veprime shumë shpejt’ dhe duke përsëritur deklaratën se ‘në Speciale ka edhe emra të tjerë të VV-së si dëshmitarë’.

Në atë parti politike, ne e dimë që kanë edhe dëshmitarë në Gjykatën Speciale, duke e marrë prej Donika Gërvallës, që ka dorëzu dokumentacione në atë kohë, që vetë e ka pranu, të tjerët, që do të dalin të gjithë me emra dhe më nuk do të fshehim asgjë nga askush, se nuk kemi frikë ndaj askujt.

Edhe Dimal Basha le ta dijë, të mos na e masë pulsin sepse pulsin na e ka marë Serbia.

Ne do të marrim veprime tjera, shumë shpejt” – tha Gucati edhe sot.

Gërvalla: S’jam dëshmitare në Speciale

Donika Gërvalla, para pak ditësh ka mohuar se është dëshmitare në Speciale.

Emrat edhe kontributi në luftë nuk e arsyeton asnjë gabim gjatë kohës së lirisë, është bërë bozë kjo temë Gjykata Speciale në Hagë e ka përmbyllur marrjen e dëshmitarëve, pyetni avokatët ku figuron emri im, në cilën fletë dhe dëshmi figuron emri im. Do të marrë hapa ligjor kundër secili pretendon që kam dërguar dëshmi në Hagë apo që kam dëshmuar në Hagë. Donika Gërvalla nuk ka asnjë kontakt as dëshmi as dëshmitare lidhur me Gjykatën e Hagës. Të gjithë ata që më sulmojnë në publikë si anti UCK duhet të maten fortë mirë sepse historia tregon që kur kam kontribuar në luftën çlirimtare disa të tjerë ende kanë qenë duke pirë qumësht. Nuk jam dëshmitare e Hagës”, ka theksuar ajo.

Lajme të ngjashme