NATO-ja dërgon aeroplanë vëzhgues në Rumani për t’i përcjellë veprimet e Rusisë
Një aeroplan vëzhgues i NATO-s arriti të martën në Rumani për ta fuqizuar pjesën lindore të aleancës dhe për ta përkrahur vëzhgimin e veprimtarisë ushtarake të Rusisë.
Ky aeroplan, që qe i pari që u dërgua nga grupi që pritet të vendoset në lindje, aterroi në një bazë ajrore afër kryeqytetit rumun, Bukuresh, ndërsa dy të tjerë pritej të arrinin më vonë dhe të mërkurën. Këta aeroplanë do të qëndrojnë në Rumani për disa javë.
NATO-ja njoftoi javën e kaluar se do të dërgojë në Bukuresht aeroplanë vëzhgues me sistemin AËACS, ku do t’i fillojnë fluturimet për zbulim vetëm mbi territorin e NATO-s, raporton agjencia “Reuters”.
“Në kontekstin e luftës së paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, NATO-ja do ta vëzhgojë veprimtarinë ushtarake në pjesën lindore me ndihmën e aeroplanëve me AËACS”- tha ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Angel Tilvar.
NATO-ja e ka përforcuar praninë ajrore në Evropën Lindore dhe në vendet e Baltikut që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurtin e vitit të kaluar, duke përdorur aeroplanë luftarakë, aeroplanë vëzhgues dhe aeroplanë për rimbushje me karburante.
Aeroplani i dërguar në Rumani i përket një flote prej 14 aeroplanësh vëzhgues të NATO-s që zakonisht mbahen në Gjermani. NATO-ja thotë se ata mund t’i zbulojnë aeroplanët e tjerë qindra kilometra larg.
“Përderisa lufta e paligjshme e Rusisë në Ukrainë vazhdon që t’i kërcënojë paqen dhe sigurinë në Evropë, nuk duhet të ketë dyshim për vendosmërinë e NATO-s që të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleatëve”- tha para disa ditëve zëdhënësja e aleancës, Oana Lungescu.
