Nagavci pas situatës me vërshime: Do të ju informojmë me kohë se a do të mbahet mësim në të gjitha shkollat
Ministrja e Arsmit Arbërije Nagavci përmes një statusi në Facebook, ka dhënë disa informacione në lidhje me situatën e disa prej shkollave që pësuan dëmtime, e që u pamundësua mbajtja e mësimit në disa prej tyre.
Ngavci ka publikuar vendet ku sot nuk u mbajt mësim si dhe ka përmendur komunat e paprekura deri më tash në këtë aspekt, si pasojë e vërshimeve.
Nagavci tutje ka thënë se do të informojnë me kohë në lidhje me mbajtjen ose jo të mësimit ditën e hënë, për disa nga shkollat që kanë probleme.
Statusi i plotë i Nagavcit:
Për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla.
Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore.
Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë si dhe me drejtorët e DKA-së, për t'u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre.
Bazuar në të dhënat e MASHTI, komunat të cilat nuk kanë mbajtur mësim sot dhe kanë pësuar dëme për arsye të reshjeve të shiut janë:
1. Podujevë: Mësimi nuk është zhvilluar në fshatin Pakashticë dhe në fshatin Peran.
2. Viti: Në katër fshatra të Vitisë ka dëme të çative në shkolla, mirëpo mësimi është duke u mbajtur.
3. Mitrovicë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.
4. Skënderaj: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.
5. Pejë: Mësimi nuk është mbajtur në fshatin Kliqinë, ndërsa në fshatrat tjera deri më tash nuk ka probleme.
6. Istog: Mësimi nuk është mbajtur në shkollën “Avni Rrustemi”, kurse dëme të mëdha ka edhe në shkollat tjera, por mësimi është zhvilluar.
7. Klinë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë të kësaj komune, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.
8. Zubin Potok: Mësimi nuk është duke u mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve.
Ndërkaq, komunat të cilat kanë raportuar që nuk kanë dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë: Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveçan.