Nagavci: Koeficientit bazë për mësimdhënësit do të përcaktohet shumë shpejt
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur në televizionin publik rreth koeficientit bazë për pagat e mësimdhënësve.
Nagavci tha se kjo vlerë të përcaktohet shumë shpejt nga Qeveria.
“Vlera e koeficientit do të përcaktohet shumë shpejt në Qeveri. Nuk është në kompetencat e mia të plota të flasë për këtë, por besoj se koeficientit do të reflektojë edhe rritjen ekonomike. Sektori i arsimit është përfitues i të gjitha ndryshimeve dhe koeficienteve që janë planifikuar në Ligjin e Pagave. Por sfida mbetet ngritja e cilësisë në arsim e jo vetëm koeficientët”, ka deklaruar Nagavci.
Ndërkohë, Ligji për Pagat është miratuar, por deri më tash ende nuk është bërë i ditur koeficienti bazë. Nga Sindikata e Arsimit kishin deklaruar se nëse koeficienti nuk është mbi 120 euro, do ta kundërshtojë atë.
Kurse sa i përket grevave në arsim, Nagavci ka thënë se është mirë që SBASHK-u përfundimisht ka reflektuar dhe e ka deklaruar të mbyllur grevën dhe se tani duhet marrë mësim nga ajo periudhë e humbur.
“Besoj se diskutimet për greva pas gjithë atij mësimi të humbur në vitin e kaluar duhet të jenë të tejkaluara dhe duhet të diskutohet vetëm për mësimet që i kemi marrë dhe për punën që duhet bërë për të kompensuar për aq sa është e mundur humbjet e nxënësve”, theksoi ministrja.
