Nacionale raportoi gati 6 muaj më parë, sot Kosova ia vuri drynin komunës paralele në Dragash
Më 10 gusht të vitit 2023, një ekip i Nacionales qëndroi në Vranishtë dhe Rapqë të Komunës së Dragashit. Në fshatin Vranishtë atëbotë lulëzonin strukturat paralele të Serbisë, ndërsa në Rapqë jetonte i qetë njeriu që dyshohej se qëndronte prapa strukturave ilegale të Serbisë në komunën kosovare në afërsi të Shqipërisë.
Por sot gati 6 muaj pas raportimit të Nacionales, shteti i Kosovës ka zhvilluar një aksion policor në Vranishtë të Dragashit. Në një njoftim e ministrit të Administratës Publike, Elbert Krasniqi, tregohej se në Vranishtë janë mbyllur katër komuna paralele, që kanë operaruar ilegalisht që nga përfundimi i luftës.
“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon.
Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues.” – shkroi sot ministri Krasniqi, transmeton Nacionale.
Në video flet edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se në Kosovë do të ketë organe legjitime.
“Nuk ka vend për Serbinë, përveç siç kemi thënë edhe më herët ambasadës së saj në Prishtinë” – ka deklaruar Sveçla.
Çfarë kishte raportuar Nacionale?
Pas komunës paralele të Vitisë, që me lokacion gjendet në komunën e Kllokotit, sot gazetari i Nacionales, Mirlind Behluli, ka vizituar qytetin e Dragashit. Më saktësisht, ekipa e Nacionales qëndroi në dy lokacione të ndryshme të komunës së Dragashit.
Fillimisht, Nacionale vizitoi fshatin me emrin Vranishtë, që gjendet pak kilometra larg komunës së Dragashit. Një vend i populluar kryesisht nga komuniteti goran, në fshatin Vranishtë ekziston një komunë paralele, e financuar nga Serbia.
Ndonëse ora shënonte pak para 13:00, gazetari Behluli nuk arrin të gjejë ndonjë zyrtar të kësaj komune paralele të Serbisë. Megjithatë, aty është një rojtar, i cili tregon se objekti për të cilin interesohej Nacionale është komuna paralele e Serbisë.
Pas vizitës në objektin komunal në Vranishtë, ekipa e Nacionales merr rrugën në drejtim të një fshati tjetër të Dragashit. Nacionale shkoi në fshatin Repqa të Dragashit, ku banon Neim Sahtijari, i cili dyshoeht se e udhëheq komunën ilegale dhe paralele të Serbisë në Dragash.
Por në shtëpinë e tij, e cila monitorohej nga kamera të sigurisë, nuk ishte askush. Ndërsa në Komunënë e Dragashit, pra në komunën legale të Republikës së Kosovës, deklaruan se janë në dijeni për ekzistencën e komunës paralele, duke shtuar se kjo problematikë duhet të rregullohet nga niveli qendror.