Nacionale mëson detajet: Ky është numri i serbëve që kanë aplikuar për policë - NACIONALE

Nacionale mëson detajet: Ky është numri i serbëve që kanë aplikuar për policë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Konkursi për policë nga radhët e komuniteteve qëndroi i hapur për javë të tëra. Megjithatë, interesimi po del se nuk ka qenë tejet i madh.

Gazeta Nacionale nga burimet e veta brenda Policisë së Kosovës ka mësuar se numri total i aplikantëve për t’u bërë polic në konkursin e fundit është rreth 100.

Nga kjo shifër, rreth 60 prej atyre që kanë aplikuar janë serbë. Por që vijnë edhe nga komunat e tjera të Kosovës, pra jo vetëm nga veriu atje ku dhanë dorëheqje të gjithë policët serbë.

Numër ky shumë më i vogël se sa që ka qenë numri i policëve serbë të dorëhequr muaj më parë në pjesën veriore, që llogaritej të ishte mbi 500.

Policia e Kosovës në anën tjetër nuk e ka bërë të ditur zyrtarisht numrin e aplikantëve, vetëm se ka njoftuar që me datën 20 shkurt do të mbahet testi.

“Aplikantët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit me numër reference DBN07/01/2023 të shpallur me datë 05.01.2023 deri me 10.02.2023 për zyrtarë policorë nga minoritetet, ftohen që t’i nënshtrohen testimit me shkrim i cili do të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri me datën 20 shkurt 2023 në ora 10:00”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Por, si do të shkojë procesi i vlerësimit?

“Testi me shkrim zgjatë 150 minuta (dy orë e tridhjetë minuta ) në interval kohor. -Kandidatet të cilët e kalojnë me sukses testin me shkrim (minimumi 70%), e fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar fazës së dytë-testit fizik. Nëse kandidati dështon në këtë fazë të testimit me shkrim, ai/ajo nuk ka të drejtë të vazhdojë në fazat tjera dhe nuk i lejohet përsëritja e testit”, theksohet më tutje në komunikatën e Policisë.

Konkursi ishte hapur nga 5 janari deri më 26 janar, megjithatë ishte shtyrë edhe për disa ditë nga Policia e Kosovës. Të drejtë aplikimi kanë pasur kandidatët nga radhët e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Dorëheqjet e policëve serbë në veri

Autoritetet në Kosovë këtë konkurs e hapën pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.

Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.

Një nga kushtet, në konkurs ishte që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tashmë janë mbi 30 vjeç.

Në të gjitha letrat e dorëheqjeve nga policët serbë thuhej se ky vendim është marrë për arsye personale e morale. Sipas ligjeve në fuqi, asnjë nga policët që ka dhënë dorëheqje nuk ka mundësi të bëhet sërish pjesë e Policisë së Kosovës.

I gjithë konkursi është zhvilluar tejet i mbyllur dhe pa shumë informacione për publikun.

Lajme të ngjashme