“Na kanë lodhë” – Pal Lekaj i ashpër për skandalin e ryshfetit: E vërteta e rrugës Dollc-Gjakovë? - NACIONALE

“Na kanë lodhë” – Pal Lekaj i ashpër për skandalin e ryshfetit: E vërteta e rrugës Dollc-Gjakovë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“Na kanë lodhë duke na thënë që 20 vjet e keni shkatërru këtë vend”, ishte ajo që i tha Nacionales Pal Lekaj, i pyetur për rrugën e ryshfetit të pushtetit aktual. Çka është puna me këtë rrugë ryshfeti?

Me skandalin e publikuar të mërkurën nga gazeta Nacionale, u shpërfaq ryshfeti e korrupsioni në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu, e aty doli se gisht ka edhe këshilltari i Aliut, Florent Ramqaj. Përgjimet tregonin se si kompania e dajëve të këshilltarit detyronte një punëkryes që të jepte ryshfet. Por ky ryshfet po jepej për diçka. Bëhet fjalë për një rrugë të nisur shumë kohë më parë e që mbeti e pabitisur.

Krejt ky korrupsion, siç thuhej në incizime “20 qetash, 10 mijë ma vonë” ishte bërë për rrugën që lidh Gjakovën me magjistralen Pejë-Prishtinë, konkretisht për ndërtimin e rrugës Dollc-Gjakovë.

E derisa korrupsioni u bë, përfundimi i rrugës ende nuk ka përfunduar.

Çfarë ndodhi me punimet e Rrugës Dollc – Gjakovë?

Më 15 mars të vitit 2019 kanë filluar punimet në ndërtimin e rrugës Dollc-Gjakovë, rrugë kjo që u rikthye në vëmendje tash kur u publikuan përgjimet e Nacionales, në të cilat u vu në pah korrupsioni në këtë tender.

Kontrata për ndërtimin e kësaj rrugë kapte vlerën e 57 milionë eurove dhe punimet po vazhdojnë edhe tani.

E procedurat e shpronësimeve ishin disa nga arsyet se pse punimet u zhagitën deri më tani.

Kontrata për fillimin e ndërtimit të kësaj rruge ishte nënshkruar në kohën kur qeveria udhëhiqej nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj.

Pal Lekaj në fillimin e ndërtimit të kësaj rrruge kishte thënë se “më në fund po i vjen zgjidhja, duke krijuar kushte më të mira edhe për zhvillimin ekonomik të kësaj zone”, ani pse punimet ende nuk janë kryer.

Javën po e fillojmë me një lajm të mirë, jo vetëm për ju, por për tërë Dukagjinin. Sapo nënshkrova kontratën për fillimin e punimeve në segmentin e parë të zgjerimit të rrugës Dollc - Gjakovë. Komunikacionit të ngarkuar në këtë aks rrugor, më në fund po i vjen zgjidhja duke krijuar kushte më të mira edhe për zhvillimin ekonomik të kësaj zone”, kishte thënë Pal Lekaj kur kishte nënshkruar kontratën për fillimin e punimeve.

I pyetur tani se pse rruga Dollc - Gjakovë nuk është pëfunduar, ish-ministri i Infrastrukturës u përgjigj:

Nuk e di saktë, por është nënshkruar në kohën time dhe ka pasë një afat për me i ndjekë procedurat qysh duhet, e këta e kanë prolongue qaq shumë, saqë ka mbetur aty ku është”, ka thënë Lekaj.

Ndërkohë, Lekaj u pyet edhe për skandalin korruptiv që është bërë në ndërtimin e kësaj rruge, duke thënë është diçka që Vetëvendosje kishte thënë se nuk do ta bënte, pra nuk do të korruptohej.

Sa i përket asaj, janë organet, janë incizimet që i pashë, diçka që këta kanë aluduar të kundërtën. Se na kanë lodhë, që 20 vjet keni shkatërru gjithçka, tash ku po na çojnë këta?!”, ka thënë Pal Lekaj

Në anën tjetër, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se rruga tashmë e famshme Dollc-Gjakovë do të përfundojë këtë vit edhe në vitin tjetër, por pa dhënë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë.

Rruga Dollc-Gjakovë, i kemi zgjidhë të gjitha problemet pronësore. I gjithë viti i kalum na ka shku tu i zgjidhë problemet pronësore dhe të projektit. Ta kuptoni gjendjen në të cilën jemi, sepse kemi kontrata 340 milionë euro me buxhet 70 milionë euro, e kemi gjetë kështu. Do të na duhen disa vjet për me i zgjidhë problemet që na i kanë lanë dhe rruga Dollc-Gjakovë përfundon sivjet dhe vitin e ardhshëm, sepse nuk e kemi buxhetin komplet për me i përfundu tetë llotot e rrugës, sepse nuk na kanë lanë buxhetin dhe na u dashtë buxhetin me orientu te autostrada...”, kishtë thënë më 1 prill zëvendësministri në Debat Plus.

Skandali korruptiv i ministrisë së Liburn Aiut

Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar, por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.

Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Eh, këtu ju lusim që të mbani frymën: bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.

Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.

Në muajt e fundit pas ardhjes në pushtet, mediet raportuan për shtëpinë e Liburn Aliut në Lagjen Marigona, dhe e cila nuk përkonte me imazhet e politikanit që avokonte për varfërinë dhe për mjerimin.

Por, emri i Liburn Aliut përmendet edhe në këto përgjime. “E ka jaran Liburnin”, thotë në një sekuencë përfaqësuesi i Infratek-ut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet – e cila në një moment shndërrohet edhe në kërcënim – ndaj viktimës.

Për më shumë mund të shikoni videon:

Lajme të ngjashme