Musliu pas raportimit të shefit të AKI-së: Prapa sulmit në Ibër-Lepenc qëndron Milan Radoiçiq
Në Komisonin për Mbikëqyrjen e AKI-së, ka raportuar shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, në konferencë ka folur deputetja dhe kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu.
Ajo ka thënë se në bazë të deklartave nga Petrit Ajeti, prapa sulmit në Ibër-Lepenc qëndron Milan Radoiçiq i mbështetur nga Serbia.
“Diskutuam për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile me provokime të mundshme nga Serbia. Folëm për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit dhe për çështje tjera. Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së, prapa sulmit qëndron Radoiçiq i mbështetur nga shteti serb”, tha Musliu.
Ajo ka përmendur dhe prezencën e drogave sintetike nëpër shkolla. Sipas sj dhe ky shqetësim është diskutuar në këtë mbledhje.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se beson që Serbia e ka orkestruar këtë sulm.
“Duhet të presim se cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve. Por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm dhe se na bën të besojmë që një sulm i këtillë vjen i mbështetur dhe orkestuar nga Serbia siç ishte edhe rasti me sulmin në Banjskë apo atë me sulmin e KFOR’it në maj 2023 apo rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq në qershor 2023”, tha Kurti.
Megjithatë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka deklaruar se është herët për të gjetur fajtorët, para se të mbledhen faktet.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”, ka thënë ai.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas takimit me korin diplomatik se qëllimi i këtij sulmi ka qenë “dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit” dhe ka përsëritur se indikacionet tregojnë se “sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia”.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.