Mushkolaj për largimin e serbëve: Kjo është kartë e Vuçiqit për të manipuluar me situatën në veri
Analisti, Imer Mushkolaj ka reaguar lidhur me vendimin e Listës Serbe për largimin nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Në një prononcim për RTV Dukagjinin ai ka thënë se kjo është karta e fundit e Vuçiqit për të manipuluar me situatën në veri të Kosovës.
“Kjo është karta e fundit e Vuçiqit në përpjekje për të manipuluar me situatën në veri të vendit”, është shprehur Mushkolaj.
Ai gjithashtu ka thënë se është edhe sfidë për institucionet e Kosovës që t’i japin zgjidhje kësaj situate, duke pasur parasysh gjendjen e sigurisë në të cilën e quajti të brishtë.
“Por, po ashtu, është një sfidë për institucionet e Kosovës se si t’i japin zgjidhje situatës së krijuar, duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ndryshe, Kreu i Listës Serbe Goran Rakiq, sot ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e ministrit të ministrisë për Kthim dhe Komunitete.
Rakiq, këtë vendim e mori pas takimit që partia e tij mbajti sot në Zveçan me të gjithë pjestarët serb që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtune, e ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policor të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriqin, drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiq, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, policët serbë që kanë refuzuar zbatimin e saj.